Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në rezultatin se për vitin 2017 ka 3 herë më shumë procedimet penale për çështjet të korrupsionit të zyrtarëve vendorë apo të lartë.
Sipas raportit të punës, depozituar në Kuvend, raport që, në fakt, i përket më së shumti periudhës kur Prokuroria e Përgjithshme u drejtua nga Adriatik Llalla, vihet re se gjithsej janë 40911 procedime penale. 39% e procedimeve janë për narkotikët, 11% për korrupsion dhe 24% e procedimeve për krimet kundër personit. Për sa i përket qyteteve, Vlora dhe Gjirokastra janë në krye për kriminalitetin në raport me popullsinë.
Për vitin 2017 për “Korrupsionin aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, organi i prokurorisë ka regjistruar 124 procedime penale, që përbën rritje me 2,6 herë ose 163,8 % në krahasim me vitin 2016. Janë dërguar në gjykatë 106 procedime penale, ndërsa në vitin 2016 rezultojnë 37 procedime të dërguara në gjykatë.
Nga të dhënat statistikore në vitin 2017, vërehet një tendencë në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, prej 41 % në krahasim me vitin 2016 dhe tendencë në rritje e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” prej 13 %, shkruan Mapo.
Gjatë vitit 2017 janë regjistruar 3 procedime për veprën penale të parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndaj 2 procedimeve të regjistruara në vitin 2016.
Sa i përket nenit 260 të Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, rezulton se janë regjistruar 13 procedime penale përkundrejt 11 procedimeve të regjistruara në vitin 2016 për këtë vepër dhe janë dërguar 2 procedime penale në gjykatë.
Sa i përket korrupsionit në sistemin e drejtësisë, për veprën penale të parashikuar nga neni 319 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv i gjyq-tarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, organi i prokurorisë ka regjistruar 1 procedim penal me 4 të pandehur, ndërkohë që në vitin 2016 rezultojnë 3 procedime penale të regjistruara.
Është e rëndësishme të përmendet se në vitin 2017 u dënua edhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë për këtë vepër penale, çështje e juridiksionit fillestar, e cila u hetua dhe dërgua në gjyq nga Prokuroria e Përgjithshme në vitin 2016.