November 24, 2024

Andrea Nahles, femra e parë në krye të Partisë Social-Demokrate Gjermane në 153 vjet

Andrea Nahles është femra e parë që në historinë 153-vjeçare u zgjodh kryetare e Partisë Socialdemokrate (SPD). Por Andrea Nahles fitoi vetëm 66,35% të votave.

Nga Deutsche Welle

Pas rezultateve më të dobëta në historinë e Partisë Socialdemokrate, që nga viti 1933, kryetari i mëparshëm i SPD Martin Schulz ishte nën presion të partisë dhe opinionit. Fillimisht vendosi të mos futet në koalicion me CDU/CSU dhe kancelaren Merkel. Por më vonë udhëhoqi negociatat me Merkelin dhe vendosi të marrë postin e ministrit të Jashtëm. Ndërsa nga kreu i partisë u tërhoq dhe propozoi Andrea Nahlesin si pasardhëse. Por vetëm disa ditë pas këtij vendimi, në janar, Schulz u detyrua të tërhiqet edhe nga kandidatura për postin e ministrit të Jashtëm. Ndaj Andrea Nahles ishte jozyrtarish drejtuese e SPD, ndonëse jo edhe kryetare. Në kongresin e zhvilluar në Wisbaden, ajo edhe zyrtariht mori këtë post.

Kryetarja e re e SPD Andrea Nahles fitoi vetëm 66,35% të votave, që është shumë më pak se ish-kryetari Schulz i cili në fillim të vitit të kaluar kishte fituar gati të gjitha votat e Kongresit. 47-vjeçarja Nahles fitoi në konkurrencë me kandidaten Simone Lange, kryetare e bashkisë në Flensburg.

Kush është Andrea Nahles?

Andrea Nahles ka qenë në përbërjen e kaluar të Bundestagut drejtuese e grupit parlamentar në Bundestagun gjerman dhe njihet si një politikane e fuqishme, me vendime të prera. Në kohën e negociatave për koalicionin e tanishëm me partitë e Unionit, pas dështimit të negociatave me liberalët dhe ekologjistët, Nahles është dëshmuar si një negociatore shumë e fuqishme dhe e prerë ndaj kancelares Merkel. Pas tërheqjes së Schulzit në janar të këtij viti, ajo ishte në fakt drejtuesja e SPD, por kryetare zyrtare u zgjodh tani. Nahles ishte edhe hallka kryesore e cila ka bindur anëtarët e SPD që të votojnë për futjen në koalicionin e tanishëm. Nahles apelon gjithmonë tek SPD që të jenë të vetëdijshëm dhe të mbrojnë me ngulm qëndrimet e tyre.

Socialdemokrate me bindje

Andrea Nahles ka lindur me 1970 në Eife, në një familje punëtorësh. Babai i saj ishte murator. Ajo është e njohur kaherë si një mbështetëse e krahut të majtë në parti. Me 1995 ajo është zgjedhur kryetare e rinisë socialdemokrate dhe në atë kohë ishte shumë më e afërt me qëndrimet e Oskar Lafontaine sesa të ish-kancelarit Gerhard Schröder, i cili në këtë post është zgjedhur në vitin 1998. Në vitin 2009 Nahles është zgjedhur anëtare e kryesisë dhe sekretare e përgjithshme e SPD. Me 2013 mori postin e ministres për Punë dhe çështje Sociale. Për punën e saj respektohej nga të gjithë në parti, por edhe tek partitë e Unioniot shumë shpejt fitoi bindjen e një politika të besueshme.

Fillimi i ri?

Pas rezultateve shumë të dobëta në zgjedhjet e fundit, Nahles tani duhet të organizojë një fillim të ri të partisë. Pjesë e këtij riorientimi mund të jetë edhe zhvendosja e partisë në të majtë, që mund të jetë vendimtare për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen më së largu në vitin 2021. Në pyetjen pas përfundimit të gjimnazit se çfarë do të bëhet, ajo është përgjigjur: “Amvise ose kancelare!”

 

Voiceofalbania.com

Facebook Comments

MineralHygienics.com