November 27, 2024

SHBA i thotë që je mbytur në korrupsion, Rama bën budallain në Fier

Edi Rama ka dy ditë rresht, që po funksionon si në fushatë elektorale. Duket qartë se ai është nën efektin e panikut, që pas impaktit të madh që dhanë në opinion protesta e kuksianëve.

Ajo ngjarje dhe zhvillimet që pasuan, treguan se “kënga” e vetme që dëgjon kryeministri më arrogant që nga koha e Mehmet Shehut është vetëm ajo e Kalimashit.

Ka dy ditë në Fier duke ju prishur edhe ditën e pushimit punonjësve të zverdhur të administratës aty dhe ju mban fjalime për spastrime dhe grabitqarët, që janë mes tyre. Ju ka vënë përball Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurin, Elisa Sirolali e me radhë milionerë të tjerë të oborrit të tij dhe së bashku ju mbajnë leksione, që përhapen nga ERTV-ja për tu treguar shqiptarëve me këmbëngulje, se ai nuk heq dot dorë nga ideja fikse e tij, se mund të vazhdojë pafundësisht ti trajtojë si budallenj.

Pasi nuk bën dot asnjë bilanc për 6 muajt e parë të mandatit të dytë, dhe gjithë 4-vjeçarin e parë të qeverisjes së tij katastrofike, rinis avazin “elektoral”, sikur sapo e kanë zgjedhur kryeministër.

Zhgënjimi total i qytetarëve i cili po rrëshqet në protestë dita ditës, e ka detyruar që të zbresë në terren, por edhe aty fajtorët nuk i gjen te ministrat që ka në krahë, por te ca “ditëzinj” të administratës.

Është me të vërtetë i habitshëm guximi i tij, për të kërcënuar punonjësit e hipotekave që “ngjyejnë” gishtin në tepsinë e tij të madhe, ndërkohë që këtë e bën duke pasur në krah bajlozët që i kanë futur ruspën “mjaltit” të financave të shtetit.

Mbrëmë doli raporti i fundit i Departamentit të Shtetit i cili e thotë copë se, “korrupsioni është i përhapur në të gjithë degët e qeverisjes në Shqipëri”, kurse kryeministri ynë jo vetëm që nuk thotë asnjë fjalë, por ju nxjerr shqiptarëve që tu bëjnë moral “virgjëresha”, si Ahmetaj e Spiropali me kompani.

Zbulon 80 “grabitqarë” në hipoteka dhe bën sikur nuk ekzistojnë 8675 tendera vetëm gjatë vitit 2017, të cilit i referohet edhe raporti i DASH; me një vlerë totale 694 milion euro, shumë kjo e barabartë me 31% të vlerës totale të tenderave në katër vjet; shumica të dhëna vetëm për një grup të vogël biznesmenësh të oborrit të tij.

Flet për “parazitë të trashëguar” në administratë, por harron të shpjegojë se nga totali i tepsisë së parave publike, 30% e tenderave apo plot 65.5 milion euro janë shpërndarë pa asnjë garë, duke shkelur hapur ligjin.

Kërkoi “Timonin” i vetëm për të çuar “Tepsinë” për skrap, por vetëm nga kazani gjigant i parave publike, u ka dhënë 4-5 miqve të tij të shndërruar me shpejtësi në oligarkë 540 tendera në kohë rekord, në vlerë prej 37.8 milion euro. Nuk llogarisim këtu gjysmë miliardi euro, për Vilma Nushin dhe koncesinarë të tjerë.

Për të gjitha këto e plot bëma të tjera të kësaj qeverie, e ka fjalën Departamenti i Shtetit në raportin më të zi që ka bërë ndonjëherë për qeveritë shqiptare, të cilat dihet se pa përjashtim kanë lëvruar korrupsionin sa të duash.

Por ai ka dy ditë e orë pa fund, që përpëlitet të bëjë shqiptarët për “budallenj”, duke bërë vetë budallain!

Facebook Comments

MineralHygienics.com