“Drejtësia” ka rastin të tregohet e drejtë dhe të dalë mbi presionet politike.” Këtë apel ka lëshuar kryebashkiakja e Shkodrës, Volta Ademi, disa orë para se Gjykata e Apelit të Shkodrës të vendosë për lirimin ose jo të 11 kuksianëve që u arretsuan për revoltën në Rrugën e Kombit kundër taksës 5 euro.
“11 qytetarë të mirë kuksianë, – shkruan Ademi, – prej shumë ditësh janë padrejtësisht në burg. Ata mund të ishin shkodranë, lezhjanë, vlonjatë, korçarë sepse të gjithë po vuajmë njësoj arbitraritetin e një qeverisje që vetëm për qytetarët nuk po mendon.
Jemi në një pikë kur duan të na privojnë edhe nga e drejta për të protestuar, për të folur kur dikush po na shtrëngon lakun në fyt ditë pas dite. Është e rëndë ta pranojmë, por janë hapat e parë të instalimit të asaj që menduam se e lamë pas në 1990-ën.
Heshtja jonë, indiferenca jonë e lehtëson mbijetesën e antivlerave. Por nuk do të heshim dhe nuk duhet të heshtim. Gjykatat shqiptare, mes tyre edhe Gjykata e Apelit në Shkodër janë nën një presion shumë të madh politik. Por pikërisht kjo gjykatë ka rastin të tregohet e drejtë, të bëjë drejtësi për 11 kuksianet, 11 shqiptarët e varfër që po përballen me burgosje të padrejtë. “