November 25, 2024

Kancelarja Merkel thërret urgjentisht në Berlin, Edi Ramën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është thirrur në mënyrë të papritur në Berlin për një takim, nga vetë kancelaria Agela Merkel. Lajmi është dhënë nga Deutsche Welle, në seksionin shqip.

Në një shkrim dedikuar dhënies së rekomandimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes BE dhe Shqipërisë nga ana e KE, ku intervistohet kryetari i Komisionit Parlamentar për çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, shkruhet se vota e këtij vendi për hapjen ose jo te negociatave, do të përcaktohet vetëm pas një analize të thellë të grupit parlamentar CDU-CSU.

“Perspektiva e Shqipërisë në BE është realiste. Shqipëria është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit. Sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për hapjen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj edhe raportet e tjera për të marr këtë vendim, si për shembull raportin e Transparency International, raportin e World Bank dhe raporte të tjera ndërkombëtare.

Ne, si grup parlamentar i  CDU-CSU, kemi formuluar në nëntorin e parvjetshëm pika shumë të qarta, dhe tani duam të dimë se sa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë se sa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill 2018 dhe vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore, do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit “, ka deklaruar Krichbaum për DË.

Në përfundim të kësaj analize që do ti bëhet Shqipërisë nga deputetët Gjermanë, duket se fjalën e fundit do ta ketë kancelaria Merkel. Me këtë rast DW zbulon, se Edi Rama do të pritet prej saj në Berlin javën e ardhshme.

“Grupi parlamentar i CDU/CSU është më i madhi në parlamentin gjerman. Prandaj dhe vota e tij për fillimin e negociatave të Shqipërisë është e domosdoshme. Por, nga ana tjetër, ajo votë do të influencohet në masë të madhe nga kryetarja e CDU-së, njëkohësisht kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.  Dhe, nëse ajo është për fillim të menjëhershëm të negociatave apo jo, këtë shpresojmë ta mësojmë javën e ardhshme, kur të takohet në Berlin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, shkruan agjencia shtetërore gjermane e lajmeve.

Ky takim vjen pas një periudhe të gjatë ngrirje, të marrëdhënieve mes Merkel dhe Ramës që erdhi si pasojë e zhgënjimit të madh ndaj kryeministrit të Shqipërisë, për të cilin u investua shumë nga kancelaria gjermane në fillimet e pushtetit të tij. Që pas vizitës së fundit disa orëshe të Merkel në Tiranë, kanë rrjedhur shumë gjëra.

Shqipëria u bë kryelajm botëror për kanabizimin e vendit, korrupsioni kapi kulmin dhe agjencitë ligjzbatuese të Gjermanisë zbuluan, se krimi i organizuar shqiptar vepronte në bashkëpunim me struktura qeveritare. Nga ana tjetër Gjermania është një nga vendet që është shprehur qartë në nivelet më të larta zyrtare dhe parlamentare, kundër mbrojtjes që Rama po i bën ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Një gjë është e sigurt; ky takim mes Ramës dhe Merkel, nuk ka për të qenë si ata të mëparshmit plot buzëqeshje e batuta! I çuditshëm është edhe fakti që kryeministri nuk e ka bërë publike këtë vizitë …

Facebook Comments

MineralHygienics.com