November 26, 2024

Kreu i CIA, Pompeo, takim të fshehtë me Kim Jong-Un në Phenian

Drejtori i CIA-s Mike Pompeo ka qenë kohët e fundit në Phenian për një takim të fshehtë me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong-un, sipas njoftimeve të shumta të medias.

Takimi, që synonte përgatitjen e bisedimeve të drejtpërdrejta midis Presidentit të SHBA Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un u zhvillua gjatë fundjavës së Pashkëve, sipas zyrtarëve të paidentifikuar të cituar nga disa media.

Më parë zoti Trump kishte pohuar se SHBA kanë mbajtur bisedime të drejtpërdrejta në nivele të larta me Korenë e Veriut.

Gjatë një shëtitjeje me kryeministrin japonez Shinzo Abe dhe bashkëshortet e tyre në vendpushimin e zotit Trump, Mar-a-Lago, presidenti u pyet nga një gazetar nëse kishte biseduar me Kim Jong Unin. Zoti Trump u kthye nga grupi i gazetarëve, buzëqeshi dhe u përgjigj: “po”.

Disa minuta më vonë, në fillim të darkës me çiftin japonez, presidentit iu bë e njëjta pyetje.

“Le të themi se ka qenë diçka më pak se aq. Por ne kemi pasur bisedime në nivelin më të lartë,” u përgjigj Presidenti Trump. “Dhe po shkon shumë mirë. Le të shohim se çfarë do të ndodhë.”

Jo me ‘direkt’ me Kimin

Brenda pak minutash, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders mohoi gjithashtu çdo pohim për ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë midis udhëheqësit Kim Jong Un dhe presidentit Trump apo zyrtarëve të tij të lartë.

“Në lidhje me bisedimet me udhëheqësin Kim Jong Un: Presidenti tha se administrata ka pasur bisedime në nivelet më të larta dhe shtoi se ato nuk ishin drejtpërdrejt me të “, tha zonja Huckabee Sanders në një koment dërguar gazetarëve.

Vlerësimet e Kryeministrit Abe

Të martën në Mar-a-Lago, zoti Abe lavdëroi Presidentin Trump që pranoi mbajtjen e një takimi me Kim Jong Un, duke thënë se ky ishte një hap që kërkonte guxim.

Zoti Trump tha se takimi “do të ndodhë ndoshta në fillim të qershorit ose pak para kësaj, nëse gjërat të shkojnë mirë. Mundet që gjërat të mos shkojnë mirë dhe takimet të mos mbahen, por ne do të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë shumë të fortë që kemi nisur”.

Pak më pas, në një takim të zgjeruar dypalësh, zoti Trump zbuloi se në përgatitje për samitin, “ne gjithashtu kemi filluar të bisedojmë drejtpërdrejt me Korenë e Veriut. Kemi pasur bisedime të drejtpërdrejta në nivele jashtëzakonisht të larta”, tha ai. Por në përgjigjen e tij ai nuk e përmendi Kim Jong Unin me emër.

Presidenti tha për koreanët e veriut se “ata na respektojnë, edhe ne sillemi me respekt ndaj tyre”./voa

Facebook Comments

MineralHygienics.com