November 26, 2024

Erdogan e përndjek si ‘gylenist’, ja ç’thotë kreu i KMSH

I përfolur si një nga njerëzit kryesorë të rrjetit të Fetullah Gylen në Shqipëri, kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj ka komentuar për herë të parë arrestimet në Kosovë dhe kërkesën e autoriteteve turke që edhe Shqipëria të dorëzojë personat e listuar nga Ankaraja si pjesëmarrës në grushtin e dështuar të shtetit.

I ftuar në Zërin e Amerikës pas një vizite në SHBA dhe leksioneve të mbajtur në disa universitete, Bruçaj foli për një imazh të dëmtuar të Kosovës, teksa la të kuptohet se Shqipëria nuk ka pse u bindet urdhërave të Erdogan pasi është një vend i lirë dhe sovran.

“Mund të them se ajo që ka ndodhur me arrestimet në Kosovë ka dëmtuar imazhin e Kosovës. Do ishte mirë që në çdo vend të respektohej ligji të drejtat e njeriut dhe te respektohej sovraniteti i atij vendi. Unë besoj që Shqipëria është një vend i lirë dhe sovran dhe e din mirë se çfarë është në interesin e tij si shtet dhe jam i sigurt që do vendosë çfarë është më mirë për kombin, për Shqipërinë.

E rëndësishme është që problemet politike që mund të ndodhin në Turqi apo në ndonjë vend tjetër ne shqiptarët nuk ua zgjidhim dot, ne kemi prioritetet tona, ne investojmë për progresin dhe harmoninë dhe stabilitetin e vendit tonë dhe besoj që do ta ruajmë fort këtë vlerë duke respektuar edhe bashkëpunimin me shtetet e tjera”-theksoi Bruçaj.

Sipas Express, Skënder Bruçaj është sulmuar mjaft nga presidenti i Turqisë, përmes mediave pranë Erdogan, të cilat thonin se ky i fundit i ka vënë kusht kryeministrit Edi Rama “kokën” e kreut të KMSH-së me akuzat se është i lidhur me Gylen. Presidenti turk – shkruanin mediat – e ka vënë këtë kërkesë si kusht për të marrë pjesë ose jo në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Madhe.

Facebook Comments

MineralHygienics.com