November 24, 2024

Bankat ulën numrin e filialeve dhe punonjësve në 2017

Bankat janë një punë e preferuar për shumëkënd, sidomos ata që mbarojnë ekonomik. Por, prej disa vitesh, është e vështirë të gjesh punë në një bankë, pasi ato nuk po zgjerohen, përkundrazi po reduktojnë degët.

Edhe në 2017-n, sistemi bankar ka vijuar të reduktojë numrin e degëve në vend. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në total, në fund të vitit 2017, kishte 479 degë, 24 më pak se një vit më parë. Numrin më të madh të njësive të mbyllura e kishte ProCredit, me 11 degë, e cila po kalon gradualisht drejt bankingut elektronik dhe Veneto, me 10 degë. Raiffeisen mbylli edhe 3 degë në 2017-n. U hapën vetëm tre degë të reja (BKT, Credins, Societe Generale, nga një secila).

Në rënie të lehtë ishte dhe numri i punonjësve. Në banka punojnë gati 6900 punonjës, apo 56 më pak se një vit më parë. BKT, Raiffeisen, ProCredit kanë bërë shkurtimet më të mëdh atë stafit në 2017-n. Personel të ri kanë marrë Credins Bank, Union Bank dhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë.

Edhe në 2018-n, bankat nuk do të jenë të prira të zgjerohen, teksa një pjesë e tyre janë në shitje dhe sistemi është në fazë konsolidimi. Veneto Bank është përthithur tashmë nga Intesa Sanpaolo. NBG është blerë nga Banka Amerikane e Shqipërisë. Tirana Bank është në shitje, Societe Generale po ashtu. Një tjetër bankë e vogël, ajo malajziane është në kërkim të blerësit. Të pesta këto banka, në fund të vitit 2017 kishin gjithsej  1379 punonjës. Përvoja e mëparshme ka treguar se gjatë procesit të konsolidimit, banka blerëse tenton të mbyllë degët jo rentabël, apo ato që dublojnë degët ekzistuese, ndërkohë që edhe stafi shkon drejt ristrukturimit.

Aktualisht në Shqipëri, numri i bankave ka zbritur nga 16, në 14, teksa Veneto dhe NBG janë në fazë bashkimi përkatësisht me Intesa dhe ABI Bank.

Banka e Shqipërisë, në raportin e saj vjetor, thotë se gjatë vitit 2017, Banka e Shqipërisë dha miratimin për transferimin e 100% të pronësisë së aksioneve të një banke, transferimin e pjesëmarrjes influencuese (të tërthortë) në kapitalin aksioner të një banke, u vlerësuan dhe u miratuan tre kërkesa të bankave për shtimin e veprimtarive financiare të lejueshme në aneksin e licencës, që konsistojnë në ushtrimin e veprimtarisë të ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime, u miratua kërkesa e një banke për hapjen e një filiali jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet transformimit të degës së saj atje në filial.

Facebook Comments

MineralHygienics.com