Ç’është kjo retorikë: Hajde takohemi, po ti s’do të takohemi se ke frikë se do të fus në burg. Nuk ka kompromis me burg. Kompromisi nis “Unë do shkoj në burg, jo ti nëse kam shkelur ligjin”. Le të hetohem deri në fund”.
Ka qenë kjo përgjigjja e Ilir Metës në korrik të 2016-s për diplomatin amerikan Donald Lu, kohë kur sipas ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla ai ka kërkuar arrestimin e ish kryetarit të LSI-së, njëherësh Kryetar Kuvendi.
Por një ditë pas publikimit të letrës së ish-kryeprokurorit, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu është parë në selinë e Presidencës, ku takohet me presidentin Ilir Meta.
Nuk dihen ende detajet e takimit që është në vijim. Llalla i kishte dërguar Kongresit Amerikan, ku shprehej se ambasadori Lu i ka kërkuar arrestimin e Ilir Metës.
Sipas kësaj letre të dërguar nga Llalla thuhet se, në vlerësimin e Donald Lu, kreu i parlamentit Meta ishte i korruptuar dhe po pengonte Reformën në Drejtësi.
“Arrestimi i tij, shkruan Llalla, – do të ndihmonte, sipas pikëpamjes së ambasadorit përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”.
Por, Llalla thekson se një kërkesë e tillë, tërësisht e papërgjegjshme, e kishte detyruar atë të ndërpriste takimin, teksa i kishte shpjeguar ambasadorit amerikan se arrestimi i një personi, përfshi një zyrtar të lartë, bëhet vetëm mbi bazën e provave.
‘Llalla rrezikon burgun! Arrestimi i Metës, gënjeshtër’, tha dje në një reagim ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, pas zbulimit të letrës së ish-kryeprokurorit.
Ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara.Syri.net