November 25, 2024

Rama ndryshon rregulloren e Këshillit të Ministrave, ja çfarë ndodh…

Qeveria miraton ndryshimet në rregulloren e Këshillit të Ministrave. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23, pika 2, 24, pika 4, e 25, pika 4, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave”, thuhet në vendim.

Vendimi

I. Në tekstin e rregullores bashkëlidhur vendimit nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

1. Pas shkronjës “c”, të pikës 8, të kreut II, “Nisma për projektaktin”, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) ndikimet e mundshme ekonomike, financiare, sociale dhe mjedisore;”.

2. Në kreun III, “Përgatitja e projektaktit”, bëhen shtesat e mëposhtme:

a) Pas shkronjës “d”, të pikës 12, shtohet shkronja “dh”, me këtë përmbajtje:

“dh) ndikimet ekonomike, financiare, sociale dhe mjedisore të pritshme;”.

b) Në pikën 16, pas fjalëve “… strukturat përgjegjëse përpilojnë …” shtohen  “… raportin e vlerësimit të ndikimit të projektaktit, sipas shtojcës 2 bashkëlidhur këtij vendimi, …”.

c) Në pikën 17, pas fjalëve “… shqyrtimit të projektaktit …” shtohen                          “… raportit të vlerësimit të ndikimit të tij …”.

ç) Në pikën 18, pas fjalëve “… projektakti i dërguar për mendim duhet të shoqërohet me …” shtohen “… raportin e vlerësimit të ndikimit të plotësuar …”.

3. Në kreun IV, “Dhënia e mendimeve për projektaktin”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pika 22/1 shfuqizohet.

b) Pika 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“23. Nëse projektakti shoqërohet me efekte financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit, në çdo rast i dërgohet për mendim ministrit përgjegjës për financat dhe, sipas rastit, ministrit përgjegjës për ekonominë.”.

c) Në pikën 24, fjalët “… Ministrit të Ekonomisë dhe sipas rastit, ministrit të Financave …” zëvendësohen me “… ministrit përgjegjës për ekonominë dhe, sipas rastit, ministrit përgjegjës për financat …”.

ç) Në pikën 25, fjalët “… ministri/t i/të Integrimit Evropian” zëvendësohen me fjalët “… ministri/t përgjegjës për çështjet e integrimit evropian…”.

d) Në pikën 26, fjalët “… Ministrit të Punëve të Jashtme …” zëvendësohen me  “… ministrit përgjegjës për punët e jashtme …”.

dh) Pika 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“27. Projektaktet me përmbajtje shoqërore, me efekte në burime njerëzore, i dërgohen për mendim ministrit përgjegjës për punën dhe ministrit përgjegjës për çështjet sociale, si dhe Departamentit të Administratës Publike.”.

4. Në kreun V, “Bashkërendimi i projektakteve”, bëhen ndryshimet dhe shtesa e  mëposhtme:

a) Fjalia e dytë, e pikës 28, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për ministrin e Drejtësisë, ministrin përgjegjës për çështjet e integrimit evropian dhe ministrin përgjegjës për financat, ky afat është 10 (dhjetë) ditë pune.”.

b) Në pikën 29, pas fjalëve “… për çështje teknike të formës dhe përmbajtjes së projektaktit …” shtohen “… raportit të vlerësimit të ndikimit të tij …”.

c) Në pikën 30, fjalët “… në pikat 22/1 deri 27 …” zëvendësohen me “… në pikat 23 deri 27 …”.

ç) Në pikën 31, emërtimet “Ministrit të Integrimit Evropian” dhe  “Ministria e Integrimit Evropian” zëvendësohen, përkatësisht, me fjalët “… ministrit përgjegjës për çështjet e integrimit evropian …” dhe “ … ministria përgjegjëse për çështjet e integrimit evropian …”.

d) Në shkronjën “b”, të pikës 36, fjalët “… ose ministrit të shtetit të ngarkuar me koordinimin qeveritar …” hiqen.

5. Në kreun VI, “Paraqitja e projektakteve për shqyrtim në Këshillin e Ministrave”, bëhen shtesat e mëposhtme:

a) Në pikën 44, pas fjalës “… projektakti …” shtohen fjalët “… raporti i vlerësimit të ndikimit …”.

b) Në shkronjën “b”, të pikës 45, fjalët “… të kreut të katërt …” zëvendësohen me “… të kreut të tretë …”.

c) Pas shkronjës “ç”, të pikës 45, shtohet shkronja “d”, me këtë përmbajtje:

“d) Raportin e vlerësimit të ndikimit të projektaktit, sipas formatit në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

ç) Pas pikës 45 shtohet pika 45/1, me këtë përmbajtje:

“45/1. Përjashtohen nga detyrimi i kryerjes së vlerësimit të ndikimit sipas shkronjës “d”, të pikës 45, të këtij vendimi,  projektaktet që kanë të bëjnë me një nga kategoritë e mëposhtme:

a) Projektakte që trajtojnë çështje, të cilat lidhen me informacionin e klasifikuar shtetëror, çështje të sigurisë kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë;

b) Projektakte që lidhen me situata emergjente, fatkeqësi natyrore apo gjendje të krizës;

c) Projektakte që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomatike, veçanërisht ratifikime të marrëveshjeve ndërkombëtare apo çështje që rrjedhin nga konventat ndërkombëtare;

e) Projektakte që lidhen me menaxhimin buxhetor, projektligji për buxhetin vjetor dhe aktet nënligjore që dalin në zbatim të tij,  projektaktet që lidhen me programimin buxhetor afatmesëm, projektaktet që prekin tatimet dhe tarifat doganore;

d) Projektakte që prekin legjislacionin penal;

dh) Projektakte që kanë efekt zbatimi të përkohshëm dhe kalimtar.”.

d) Në shkronjën “b”, të pikës 47, pas fjalëve “… për përgatitjen dhe hartimin e projektakteve …” shtohen “… raportit të vlerësimit të ndikimit …”.

II. Në shtojcën “Modeli i relacionit dhe i tabelës së përputhshmërisë së projektaktit normativ me acquis të Bashkimit Evropian”, që i bashkëlidhet tekstit të rregullores, emërtimi “Ministrisë së Integrimit Evropian” zëvendësohet me fjalët “… ministrisë përgjegjëse për çështjet e integrimit evropian …”.

III. Dispozita kalimtare

1. Përjashtimisht, për vitin 2018, do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të ndikimit vetëm projektligjet e përcaktuara nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, sipas programit të përgjithshëm analitik të projektakteve për vitin 2018.

2. Deri në vitin 2019, projektaktet që do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit të ndikimit, do të jenë vetëm projektligjet.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Facebook Comments

MineralHygienics.com