November 24, 2024

Autostrada Tiranë-Durrës duhet të tarifohet!

Autostrada Tiranë-Durrës duhet të tarifohet! Në një intervistë, eksperti rrugor Artur Sulçe thekson të nevojshme pagesën e një tarife të përballueshme nga ana e qytetarëve, për ta risjellë në parametrat optimale .

Eksperti Sulçe thekson se tarifa duhet të vendoset sipas kilometrave që përshkohen. “Ju e keni parë rrugën Tiranë-Durrës, është bërë më keq se një rrugë fshati dhe ndërkohë shpejtësia është 90 kilometra në orë. Për 90 km/h, një mjet për 1 sekondë bën 25 metra. Imagjino se çfarë mund të ndodhë po çave gomën, ndodh efekti domino në një ditë me trafik. Në këtë këndvështrim, duke ia dhënë në koncesion një koncesionari, nëse do të ndodhë një aksident, tani problemin nuk e paguan më shteti, por e paguan ky koncesionari. Mirë po koncesionari primare ka fitimin, nuk do ta kthejë më këtë ndërmarrje të mirëmbajtjes si një strehë varfnore, por do të vërë njerëzit në punë”, tha Sulçe për Scan.tv.

Sulçe shton se mirëmbajtja e rrugëve interurbane kryesore, jo vetëm të autostradës Tiranë-Durrës, është nevojë emergjente për rritjen e sigurisë së qytetarëve por nënvizon si thelbësore transparencën nga ana e qeverisë .

“Gjithmonë kur ka investime të mëdha, ose kur tentohet të vendoset një taksë, tentohet të bëhet një rrugë tjetër, gjithmonë merret dhe këshillimi me zonën përkatëse, e cila i prek këta persona”, shtoi Sulçe. Nuk ka ende një projekt për rehabilitimin e kësaj arterie që lidh dy qytetet kryesore në vend. Autostrada Tiranë –Durrës është 35 km e gjatë dhe çdo ditë në dy anët e saj kalojnë rreth 45 mijë automjete 3 mijë prej të cilave të tonazhit të lartë.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com