November 24, 2024

Ndër gratë që punojnë më gjatë për të dalë në pension

Banka Botërore e klasifikoi Shqipërinë ndër vendet e para në botë ku gratë dalin në pension në moshë të vjetër. Gratë shqiptare dalin në pension në moshën 65 -vjeçare, ndërkohë Belgjika kryeson renditjen botërore ku gratë dalin në pension në moshën 70 vjeçare. Shqipëria u rendit në vendin e 22-të, ndër 174 vende të marra në studim.

Raporti global për gratë i Bankës Botërore tregon se pensioni i vonë e grave është karakteristikë e vendeve të zhvilluara dhe lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me jetëgjatësinë. Ndërsa shikohet se vendet kur gratë dalin në pension poshtë moshës 60 vjeç janë të varfëra të tilla si Nigeria dhe Kiribati ku gratë dalin në pension 50 vjeç.

Banka Botërore ka mesatarizuar moshën e daljes së grave shqiptare ne pension. Deri në vitin 2015 gratë shqiptare dilnin në pension në moshë 60 vjeçare, por me zbatimin e një reforme të re në sistemin e pensioneve po aplikohet rritje graduale të moshës së daljes në pension për gratë, me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032.

Që nga viti 2032, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056.

Si rezultat i shumë faktorëve, jetëgjatësia po rritet me një trend mesatar me mbi një muaj në vit. Në këtë rritje, jetëgjatësia te gratë është më e lartë se jetëgjatësia te burrat. Aktualisht, në Shqipëri, koha mesatare e gëzimit të pensionit për të dyja gjinitë është 21.4 vjet, 19.2 vjet për meshkujt dhe 24.2 vjet për femrat. Pra, koha e gëzimit të pensionit për femrat është 5 vjet më e lartë se e burrave, për dy arsye kryesore: jetëgjatësia më e madhe e femrave se meshkujt si dhe dalja në pension pleqërie më herët se ata.

Shumica e vendeve të Europës kanë një trajtim të barabartë për sa i përket moshës së daljes në pension për të dyja gjinitë. Shtete të tjera, ku gratë dalin në pension 65 vjeçe.

Qeveria pret që rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë do të ndikojë natyrisht në uljen e shpenzimeve për pension dhe të shmangë diskriminimin e deritanishëm me burrat.

Shqipëria sot ka një popullsi të re, por parashikimet afatgjata tregojnë se në të ardhmen do të ketë një plakje të popullsisë. Rritja e pjesës që zë popullsia mbi moshën e pensionit ndaj totalit të popullsisë, shoqërohet me një rënie të pjesës që zë popullsia në moshë pune.

Kjo plakje e popullsisë do të sjellë edhe një rritje të koeficientit të varësisë së të moshuarve, i cili nga 23% në vitin 2012 rritet në 41% në vitin 2030. Më pas ritmi i rritjes gradualizohet, duke shkuar në 56.8% në vitin 2055 dhe merr vlerën më të lartë, 68.9%, në vitin 2080. Numri i pensionistëve ndaj numrit total të popullsisë do të rritet gradualisht nga 19.1% në vitin 2012 në 28.3% në vitin 2040.

Norma e varësisë së sistemit, që shpreh raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve, do të rritet nga rreth 86 pensionistë për 100 kontribuues aktualisht, në rreth 120 pensionistë për 100 kontribuues në vitin 2032. Kjo vjen si rezultat i rritjes me një ritëm më të shpejtë të numrit të pensionistëve se sa kontribuuesve.

Facebook Comments

MineralHygienics.com