Kjo ka ndodhur mbrëmë në “Opinion” gjatë rrëfimit të ndjerë e të dhimbshëm të ish-të përndjekurit politik, Sokol Mirakaj.
Mirakaj rrëfeu tmerret dhe vuajtjet që ka përjetuar në kampin e Tepelenës.
Mirakaj tregon se në darkë, njerëzit në kamp, rreshtoheshin për të zënë radhën për te soba, për të pjekur lendet që të shuanin sadopak urinë e për të tharë rrobat nga shiu, që i kishte zënë në punë në mal.
Uria kishte pushtuar gjithë kampin, dy fëmijë që ishin më guximtarë, kaluan fshehurazi telat e filluan të hanë mollë, mbasi hëngrën mirë, u kthyen për t’u futur në kamp, ndërkohë i pa kapteri, i ndaloi të dy, i mori duke i rrahur me shpulla dhe i lidhi për një shtyllë, që ishte afër çezmës. Të dy fëmijët e lidhur për shtylle ishin Zef Mirakaj e Liman Koleci të moshës 9 vjeç.
Kur i zuri nata të lidhur, filluan të qanin nga frika, ndërsa nënat e tyre, motrat e të afërmit rrinin brenda telave të kampit duke u dhënë kurajë: “Mos kini frikë, se ja ku jemi!”.
Të dy fëmijët i liruan në mëngjes, të dyve ju kishte rënë të fikët kur i morën familjarët. Vdekjet e fëmijëve dhe pleqve vazhduan si shkak i mungesës së higjienës e ushqimit, çdo ditë dëgjoje nënat që vajtonin fëmijët.”- rrëfeu Mirakaj me lot në sy duke përlotur edhe vetë Fevziun