January 23, 2025

Tatimet: Si përcaktohet xhiro, nëse hyn apo del nga TVSH-ja

Drejtoria e Tatimeve ka publikuar një manual lidhur me qarkullimin e Tatueshëm, i cili është element përcaktues për regjistrimin apo çrregjistrimin e një personi të tatueshëm në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Bazuar në nenin 119 “Qarkullimi i tatueshëm”, të Ligjit Nr. 92/2014 datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, qarkullimi që shërben për zbatimin e regjimit të vogël sipas parashikimit ligjor në nenin 117 “Objekti i regjimit të bizneseve të vogla”, të po këtij ligji, përfshin qarkullimin e realizuar nga të gjitha furnizimet e tatueshme të mallrave dhe shërbimeve, përfshirë furnizimet e kryera në fushën e eksporteve dhe ngjashme me to, të transportit ndërkombëtar, të furnizimit të arit për Bankën e Shqipërisë apo shërbimet e ndërmjetësimit për furnizimet me shkallë 0 përqind të TVSH-së, të kryera nga i njëjti person i tatueshëm, dhe llogaritet në bazë të çmimit gjithsej që duhet të paguajë blerësi.

 

Nuk merren parasysh për llogaritjen e qarkullimit:

a) furnizimet e aktiveve materiale dhe jomateriale të personit të tatueshëm, që konsiderohen si aktive të investimit dhe nuk mbahen me qëllim për t’u shitur;

b) vlerat e përfituara nga veprimet financiare të parashikuara në nenin 53, si dhënia dhe negocimi i kredive, si dhe menaxhimi i kredive nga ana e kredidhënësit, negocimi i çdo marrëveshje tjetër në garantimin e kredive ose çdo sigurim tjetër për paratë, transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me veprimet e këmbimit, llogaritë e depozitave, llogaritë rrjedhëse, furnizimin e likuiditeve nëpërmjet pagesave, transfertave marrje-dhëniet e borxhit, përveç shërbimit të mbledhjes së borxhit, transaksionet, përfshirë negocimin lidhur me valutën, kartëmonedhat apo monedhat e përdorura si mjete ligjore pagese, me përjashtim të monedhave dhe të kartëmonedhave për koleksion, që do të thotë monedha ari, argjendi apo monedha të tjera metali ose kartëmonedha që nuk përdoren normalisht si mjet ligjor pagese ose monedha që paraqesin interes numizmatik, transaksionet, përfshirë negocimin, por jo menaxhimin apo ruajtjen, në aksione kuota, pjesë në shoqëri apo shoqata, në obligacione dhe tituj të tjerë, përveç dokumenteve që vendosin titull mbi mallrat dhe të drejtat apo titujt, menaxhimi i fondeve të investimeve, në kuptim të ligjit për sipërmarrjet e investimeve kolektive të cilat nuk krijohen si rezultat i kryerjes së veprimtarisë ekonomike, por janë veprime aksesore;

c) vlerat e përfituara nga veprimet mbi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk krijohen si rezultat i veprimtarisë ekonomike kryesore, për të cilën personi i tatueshëm është regjistruar.

Furnizimet e pasurisë së paluajtshme dhe shërbimet financiare, pavarësisht se janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja, sipas nenit 53, të këtij ligji, kur krijohen si rezultat i veprimtarisë ekonomike kryesore, bëjnë pjesë në qarkullimin vjetor, për qëllime të pikës 1, të këtij neni.

Për qëllime të këtij neni, për një person të tatueshëm, i cili regjistrohet për herë të parë për të kryer një veprimtari ekonomike, qarkullimi në lidhje me kufirin minimal të regjistrimit llogaritet në mënyrë proporcionale me periudhën nga data e krijimit (regjistrimit) deri në fund të vitit fiskal./monitor

Facebook Comments

MineralHygienics.com