Policia ka nisur procedim penal ndaj 8 aktivistëve të cilët organizuan protestën para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ditën e djeshme.
Aktivistët të cilët protestuan në mënyrë paqësore për lirimin e 23 të ndaluarve nga protesta e Rrugës së Kombit, janë të habitur për procedimin ndaj tyre ndërsa Policia e Tiranës nga ana e saj nuk jep asnjë sqarim lidhur me arsyen e procedimit të aktivistëve mes të cilëve është edhe Brizida Gjikondi, një nga iniciatoret e asaj që ndodhi mbrëmë.
Ajo u largua nga protesta kur në të u “përzienë” edhe deputetë të opozitës.
“Më datë 02.04.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit A.T., A.L., G.Gj., B.P., B.Gj., E.P., E.H., dhe A.K., vjeç 46, 30, 30, 38, 49, 35, 46 e 39, pasi dyshohet se në rrugën “Sami Frashëri”, në hyrjen kryesore të DVP Tiranë, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme në lidhje me arrestimin e disa personave të ndaluar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kukës. Neni 262 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.