Me një kostum portokalli dhe një bluzë gri me sloganin kundër armëve, Rita Ora ndezi atmosferën në protestën paqësore të realizuar në Los Anxhelos, “March For Our Lives”.
Rita performoi para rreth 50 mijë personave të mbledhur kundër dhunës së armëve, e nxitur dhe nga ngjarja e fundit në një shkollë në Florida, ku u vranë 17 persona.
Këngëtarja me origjinë kosovare shkroi në Instagram: “Sot ishte një ditë speciale. Faleminderit që na frymëzoni për të mbrojtur të ardhmen. Dhuna e armëve duhet të ndalojë. Të flisja dhe të performoja para jush ishte një nder shumë i madh”.
Në skenë iu bashkua edhe komediania Amy Schumer, e cila iu drejtua të pranishmëve me një fjalim prekës, një thirrje ndaj politikanëve për të bërë ndryshimin.
Në Marshin Kundër Armëve, përveç mijëra njerëzve, morën pjesë edhe shumë emra të njohur të botës së televizionit dhe kinemasë, të cilët mbështetën nismën për të kërkuar ndalimin e përdorimit të armëve.