November 26, 2024

Greqi, vdes shqiptari nga zjarri ne nje fabrike

Një shtetas shqiptar 45 vjeç ka gjetur vdekjen dhe dy të tjerë janë plagosur lehtë, prej një zjarri që shpërtheu mbasditen e së hënës në një fabrikë në zonën industriale në Volos të Greqisë.

Sipas burimeve lokale, 45-vjeçari, emri te cilit nuk bëhet ende publik, po kryente saldime me oksigjen, së bashku me dy punonjës të tjerë, edhe ata shtetas shqiptarë, në zonën e frigoriferëve në një fabrikë ushqimore në Volos, në kohën që në rrethana ende të paqarta, ka shpërthyer zjarri.

Në tentativën për t’u larguar, viktima u mbyt nga gazrat dhe tymi dhe u gjet prej zjarrfikësve në shkallët dalëse të frontit të punës, vetëm dy metra larg daljes prej ambientit që u kthye në kurth vdekjeprurës për të.

Dy punonjësit e tjerë u dërguan në spital pasi edhe ata kishin simptoma asfiksie, por pasi morën ndihmën e parë, u larguan për në banesat e tyre.

Në zonë mbërritën 10 zjarrfikëse, si dhe forca të policisë e ambulanca, por ishte e pa mundur të shpëtohej viktima.

Mbas 3 orësh përpjekje, zjarrfikësit munden të vënë flakët nën kontroll.

45-vjeçari është babai i 3 fëmijëve të mitur dhe banonte në qytezën Aliqes në Volos. Trupi i tij u dërgua në morg, ndërsa pritet ekzaminimi prej mjekut ligjor për të konfirmuar shkaqet e vdekjes.

Fabrika e ushqimeve në të cilën ndodhi aksidenti i së hënës ishte e mbyllur prej disa vitesh dhe askush nuk e di se çfarë punimesh po kryheshin në të, pasi sipas policisë, askush prej punëdhënësve të tre shqiptareve nuk u gjet në vendin që shpërtheu zjarri nga frika e ndonjë arrestimi për shkelje të kushte të sigurisë në punë.

Policia tha se po heton lidhur me ngjarjen, ndërsa dëshmia e dy shqiptarëve të tjerë, pritet të hedhë dritë mbi atë që ndodhi.

Facebook Comments

MineralHygienics.com