Forca të shumta policie janë përqëndruar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Janë 200 policë të policisë ROSU dhe 40 nga Njësia Speciale e Kosovës që gjenden në veri të Mitrovicës, shkak është bërë një lajmërim për futjen e dy zyrtarëve serb në verit të Mitrovicës.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm kosovar Behgjet Pacolli, ka paralajmëruar se zyrtarët serbë, Marko Gjuriq dhe Nebojsha Stefanoviq do të arrestohen nëse provojnë që të hyjnë sot në territorin e Kosovës.
Zyrtarët serbë kanë paralajmëruar për sot pjesëmarrjen e tyre në një panel me temën ‘Gjendja e serbëve në Kosovë’ që do të mbahet në veri të Mitrovicës, pavarësisht se institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë leje për qëndrimin e tyre në Kosovë. Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim zbatimin e urdhrit të pranuar nga Ministria e Jashtme, ka dërguar policinë speciale në veri, për të ndaluar hyrjen e dy zyrtarëve serbë. Nga ana tjetër thuhet se më shumë se 20 pjesëtarë të xhandarmerisë serbe, në mesin e të cilëve edhe spiunë të Agjencisë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë, kanë hyrë gjatë dy ditëve të fundit nga Serbia në territorin e veriut të Kosovës, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, xhandarët serbë janë në rroba civile dhe kanë hyrë gjatë orëve të natës së shtunë dhe të diel nga kufiri i Jarinjes, ndërsa janë vendosur në konviktin e studentëve afër shkollës ‘Vuk Karaxhiq’ në Zveçan.