November 25, 2024

Tirana ndër dy qytetet me jetesën më të keqe në Evropë

Tirana është një nga dy qytetet me cilësinë më të keqe të jetesës në Evropë. Këtë përfundim e nxjerr Mercer, kompania ndërkombëtare e konsulencës që çdo vit vëzhgon dhe rendit më shumë se 200 qytete në botë për cilësinë e jetës.

Ndër 231 qytete në botë, Tirana renditet në vend të 176. Ndërsa nga qytetet e Evropës, Tirana lë pas vetëm kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, që renditet në vend të 188-të.

Në Ballkan të gjithë qytetet e marra nën vëzhgim, Zagrebi, Beogradi, Sarajeva, Shkupi, renditet më mirë se sa Tirana, me Zagrebin si qytetin me cilësi më të mirë, në vend të 98-të.

Më lart se Tirana renditen dhe qytete të vendeve të botës së tretë si kryeqytetet e Ugandës, Senagalit, Ganës, Gabonit.

Mercer merr në shqyrtim 39 faktorë në 10 kategori të ndryshme të jetesës në qytete:

1.Mjedisi ekonomik (shërbimet bankare, financiare, fuqia e monedhës, etj.)

2.Mjedisi politik dhe social (qëndrueshmëria, kriminaliteti, zbatimi i ligjit, etj.)

3.Mjedisi socio-kulturor (censura e medias, liria e shprehjes, etj.)

4.Shërbimet publike dhe transporti (furnizimi me energji elektrike dhe ujë, transporti publik, trafiku, telefonia, prania e aeroporteve, etj.)

5.Shërbimi shëndetësor (shërbimi spitalor, gjendja e spitaleve, ndotja e ajrit dhe ujit, sëmundjet infektive, menaxhimi i mbetjeve, etj.)

6.Shkollat dhe arsimi (standardet e shkollave, disponueshmëria e shkollave ndërkombëtare, etj.)

7.Mjedisi natyror (klima, katastrofat natyrore, etj.)

8.Strehimi (strehimi, mobilimi dhe mirëmbajtja e shtëpive, ambientet me qira, etj.)

9.Argëtimi (kinematë, teatrot, aktivitetet sportive, restorantet, etj.)

10.Mallrat e konsumit (cilësia e ushqimit, disponueshmëria e mallrave të konsumit, makinat, etj.)

Sipas Mercer, në vend të parë për cilësinë më të lartë të jetesës renditet Viena, kryeqyteti i Austrisë. Pas saj renditen Zyrihu (Zvicër), Okland (Zelandë e Re), Mynihu (Gjermani) dhe Vankuveri (Kanada).

Në vend të fundit si qytetet më cilësinë më të keqe të jetesës renditen Bagdadi (Irak), Bangui (Republika e Afrikës Qendrore) dhe Sana’a (Republika Arabe e Jemenit).

https://www.mercer.com/newsroom/2018-quality-of-living-survey.html

Facebook Comments

MineralHygienics.com