Një gjykatë britanike ka nisur hetimet për të zbuluar shkakun e vdekjes së biznismenit rus, Nikolai Glushkov, i cili është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Londër më herët gjatë këtij muaji.
Hetimi i gjykatës së mjekësisë ligjore vjen pas një konflikti diplomatik si shkak i helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani.
Mirëpo policia ka thënë se “nuk ka të dhëna për ndonjë lidhje” në mes të dy rasteve.
Gjykata e mjekësisë ligjore në Londër ka dëgjuar deklarata se Glushkov është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Londër më 12 mars.
Zyrtari i gjykatës, Terry Waple ka konfirmuar se të dhënat nga autopsia kanë konfirmuar se Glushkov ka vdekur nga “presioni në qafë”.
Hetimi më pas është anuluar në pritje të hetimeve policore.
Kjo gjykatë pritet të verifikojë atë se kur ka vdekur Glushkov dhe cilat kanë qenë shkaqet.
Ai ka jetuar në Londër në vitet e fundit, pasi i është siguruar azili politik në Britani më 2010.
Ai ka qenë kritik i presidentit rus, Vladimir Putin.
Glushkov ka qenë zëvendës-drejtor i linjës ajrore ruse, ndërsa është burgosur më 1999 për pesë vite, me akuzat për mashtrim dhe pastrim parash.
Glushkov ka qenë aleat i ngushtë i oligarkut rus, njëherësh kritikut të Kremlinit, Boris Berezovsky, i cili është gjetur i varur në shtëpinë e tij jashtë Londrës më 2013.
Hetimet kanë dështuar që të verifikojnë nëse ai ka kryer vetëvrasje.
Ndërkohë Sergei dhe Yulia Skripal janë ende në gjendje kritike, pasi janë gjetur pa vetëdije në një stol në qytetin britanik Salisbury më 4 mars.
Britani akuzon Rusinë për përdorim të agjentit nervor Noviçok në sulmin ndaj ish-spiunit dhe vajzës së tij, mirëpo Moska mohon një gjë të tillë./REL