November 25, 2024

Kush do ta zëvendësojë ambasadorin Lu?

Administrata Trump nuk pranoi të konfirmojë ose të mohojë deklaratën e republikanit, Peter Lumaj se kishte refuzuar një ofertë për t’u kthyer në vendin e tij të lindjes, në Shqipëri si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk mund të komentojmë vendimet personale, që mund të kenë ndodhur ose jo”,- tha Helen Aguirre Ferre, drejtorja e Shtëpisë së Bardhë për çështjet e mediave.

Lumaj tregoi me entuziazëm interesin e shfaqur nga administrata Trump ndërsa ndodhej para Komitetit Republikan të Qytetit në West Hartford.

“Mora një ofertë, jam verifikuar”,- tha shkurt Lumaj, duke refuzuar të komentojë më gjerë. Peter Lumaj shtoi ndër të tjera se do t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve për për këtë çështje dhe u sigurua që ata të kenë numrin e tij të celularit.

Mes të interesuarve për pozicionin e tij të ri, ishin edhe anëtarët e stafit të “CT Mirror”, të cilët i drejtuan disa pyetje republikanit, i cili u pergjigj:

“Administrata Trump kontaktoi me mua pas zgjedhjeve të 2016, nëse isha i interesuar për pozicionin e ambasadorit në Shqipëri dhe unë i refuzova. Procesi ishte një vetting në vetvete. Nuk iu nënshtrova procedurave zyrtare, sepse nuk kisha asnjë interes për ta pranuar postin” sqaronte Lumaj, pa komentuar nëse do ta pranonte ofertën sërish.

CT Mirror shkruan ndër të tjera edhe për ambasadorin Donald Lu, një diplomat karriere që njeh 7 gjuhë dhe që është i diplomuar në marrëdhënie ndërkombëtare. Nga ana tjetër Lumaj ka një diplomë në juridik që e lejon të marrë pjesë në gjyqet e emigrantëve.

KUSH ËSHTË PETER LUMAJ
Por kush është shqiptari Peter Lumaj dhe si ka mundur ai të ngjitet në sferat e larta të politikës amerikane dhe më specifikisht brenda Partisë Republikane?

Aktualisht Peter Lumaj është një avokat i njohur, i çështjeve të imigracionit. Në periudhën parazgjedhore dhe gjatë votimit të presidencialeve në SHBA ai ka qenë njëkohësisht, një mbështetës i madh i Donald Trump.

Emri i Peter Lumajt u bë i njohur jo vetëm në rrethet politike në SHBA në Shkurt të vitit 2012, kur ai si shqiptari i parë në histori, i lindur në vendin tonë kandidoi për senator i Shteteve të Bashkuara. Avokati i çështjeve kriminale dhe të emigracionit nga Fairfield-i ishte në atë kohë, një prej pesë republikanëve që kërkonte të përfaqësonte këtë parti në zgjedhjet e përgjithshme të Nëntorit, për të zënë vendin e senatorit Joe Lieberman.

Peter Lumaj, sot 50-vjeçar, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, u arratis nga Shqipëria komuniste 29 vite më parë në vitin 1989, për të mbërritur në SHBA. Si përfitues direkt i azilit politik, ai në fillim mori statusin e rezidentit të përhershëm dhe pesë vjet më vonë u natyralizua, si qytetar amerikan

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com