Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer ia doli brenda një kohe të shkurtër të trazojë qeverinë e re që sapo filloi nga puna. CDU nervozohet. Ndërkohë që me pikëpamjet e tij janë dakord shumica e gjermanëve.
Çfarë ndodh kur i pyet politikanë të CDU-së për politikanë si Horst Seehoferi, ministri i Brendshëm federal i CSU-së? Jo më ai, do të dëgjoje. Gjashtë ditë në postin e ri, dy herë ai ia ka acaruar nervat kolegëve të partisë CDU. Fillimisht me fjalinë, se myslimanët që jetojnë në Gjermani janë pjesë e Gjermanisë, por jo islami. Pastaj me propozimin për zgjatjen e kontrolleve kufitare në Gjermani e zgjerimin e tyre.
A kemi nevojë për debate të tilla? Sekretarja e Përgjitshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer përmblodhi në fillim të javës atë që e mendojnë shumë gjermanë: Qytetarët presin që pas një kohe të zgjatur të krijimit të qeverisë, koalicioni të kthehet tek puna faktike. Të profilizohesh me punë të vendosur është në rregull, tha ajo, por kur erdhi puna të përmendte emra, nuk përdori atë të Seehoferit, por të ministrit të Ekonomisë, Peter Altmeier (CDU) që ka shkuar në Uashington për të mënjanuar një luftë tregtare me SHBA.
“Çfarë do të thotë ky debat?”
“Çarë do të thotë ky debat?”, reagon një politikan i zemëruar i CDU-së që nuk do të përmendet me emër. Ai ka parasysh deklaratën e Seehoferit se islami nuk i përket Gjermanisë. „Ne kemi shumë probleme të tjera, grindjen me SHBA, të ardhmen e BE. Digjitalizimin. Për këto duhet të kujdesemi.” Edhe kancelarja e refuzoi ftohtë Seehoferin. „Ndërkohë jetojnë katër milionë myslimanë në Gjermani. E po ashtu edhe feja e tyre i përket Gjermanisë. Pra edhe islami”, tha ajo. Nga ana tjetër ofensivën e Seehoferit për kontrollin e kufijtve ajo e mbështeti për sa kohë që nuk është garantuar plotësisht mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE.”
“Askush nuk do të shkallëzohet grindja.”
Lidhur me debatin për islamin reagoi edhe partneri i koalicionit, SPD. „Debatet që ndajnë vendin, nuk i ndihmojnë askujt”, tha zëvendëskryetarja e partisë SPD, Manuela Schwesig. Shumë reagime nuk ka pasur edhe nga CDU për deklaratën e Seehoferit. Vetëpërmbajtja ka arsyet e veta: „Sigurisht grindja mes partive ndikon menjëherë në perceptimin në popullsi”, thotë Roberto Heinrich nga instituti i opinionit publik, Infratest për DW. „Pra askush nuk ka interes për shkallëzimin e grindjes.” Sidomos edhe SPD-ja mendon tani që të riorientojë kursin e saj në politikën e refugjatëve. Kredoja e ministres socialdemokrate për Familjen, Franziska Giffey është – oferta të qarta integrimi, por edhe sanksione nëse rregullat nuk respektohen. Nga ana tjetër të gjithë në qeveri e dinë se deklaratat e Seehoferit kanë mbështetje në popull. „Kur pyetëm herën e fundit, nëse islami i përket Gjermanisë, ishin 60% e të anketuarve që thanë se islami nuk është pjesë e Gjermanisë”, thotë eksperti i opinionit, Roberto Heinrich.
Një debat i vjetër
Horst Seehofer bën deklarata, por ato nuk do të kenë ndonjë pasojë konkrete, sepse çështjet e kontrolleve kufitare rregullohen brenda BE. Shumë vende të BE, krahas Gjermanisë, edhe Austria, Suedia, Danimarka, Norvegjia kanë futur kontrollet kufitare pas valës së refugjatëve në vitin 2015. Kontrollet konsiderohen në fuqi deri në maj. BE kërkon t’i heqë ato, por nëse kjo do të ndodhë varet nga bisedimet mes vendeve të prekura. Ndërsa debati tjetër, nëse islami i përket Gjermanisë, është një debat më i vjetër. Ai u ndez në vitin 2010, kur presidenti i atëhershëm, Christian Wulff tha se „islami i përket Gjermanisë.” Opozita kritikon, se Seehofer vepron si politikan i CSU-së dhe jo si ministër i Brendshëm.