November 25, 2024

Seehofer: ‘Feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë’

Ministri i ri për Atdheun në Gjermaninë po e nxit debatin për fenë islame – në një mënyrë fatalisht të gabuar. Ende pa kaluar një javë nga ardhja në krye të ministrisë, ai nisi një debat të rëndësishëm.

Nga Deutsche Welle

Debati filloi shumë shpejt. Në intervistën e tij të parë si ministër i ri për Atdheun, Horst Seehofer bëri të qartë se në ç’mënyrë do të udhëheqë debatin për atdheun dhe integrimin – përmes polarizimeve dhe përkufizimeve. Me fjalinë e tij “feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë”, ai ndezi një debat fatal, i cili Gjermanisë i sjell përçarje të reja. Dhe këtë në një kohë kur janë shtuar sulmet ndaj xhamive dhe godinave të fesë islame.

Kjo nuk është e rrezikshme vetëm për bashkëjetesën në Gjermani, por edhe për bashkëjetesën në Bashkimin Evropian, sepse ai nuk do të mund të mbijetojë në frymën e përçarjeve dhe përkufizimeve. Kërkesa e Seehoferit për nxjerrjen nga fuqia për një kohë të pacaktuar të Marrëveshjes Shengen, mund të sjellë pasiguri të tjera.

Një shans i humbur

Por toni i Seehoferit nuk është vetëm i rrezikshëm. Këtë dëshmon jo vetëm debati i  nxehtë që ky njeri nga Bavaria – sërish – shkakton. Përderisa njëra anë i hedhë poshtë kërkesat e tij, të tjerët duartrokasin fuqishëm: “Më në fund dikush e thotë ate që mendojmë ne.”

Një njeri i matur me siguri që nuk do të nxiste këtë konflikt me fjali të këtilla. Pikërisht për faktin se është i ri në këtë post dhe ka shansin që të afrohet me pasigurinë dhe ndjenjën e kërcënimit tek shumë gjermanë. Katër milionë myslimanë jetojnë në Gjermani. Ky është fakt. Dhe kush beson se besimi i tyre nuk na takon edhe neve, ndihmon në fund të fundit forcat ekstremiste.

Çfarë feje islame i takon Gjermanisë?

Pse Seehoferi nuk pyet thjeshtë: çfarë feje islame i takon Gjermanisë? Dhe në këtë mënyrë do të obligonte edhe shoqatat islame në Gjermani që të angazhohen për bashkëjetesë paqësore. Pse nuk përpiqet që të bashkëpunojë me myslimanët, të cilët e respektojnë Kushtetutën tonë? Me ata, të cilët angazhohen për barazi gjinore dhe angazhohen kundër diskriminimit të homoseksualëve? Kjo është fryma, në të cilën qeveria e re duhet të përballet me sfidat e integrimit. Një mundësi konstruktive për të mënjanuar frikën që përhapë partia populiste e djathtë AfD në Parlament.

Nuk është ndonjë rastësi që Gjermanisë i janë dashur gati gjysmë viti negociata për të krijuar qeverinë e re. Kjo është një pasqyrë e asaj me të cilën po përballet Gjermania në kërkim të identitetit si vend i migrantëve. Fokusimi permanent tek feja islame është vetëm edhe një dëshmi tjetër për paaftësi.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com