Gazetarja dhe ekspertja austriake e Ballkanit, Adelheid Wölfl në një analizë të botuar sot në gazetën “Der Standard” trajton gjerësisht gjendjen dhe trendet aktuale rreth zgjidhjes së problemit të Kosovës. Për fillim, ajo e bën të qartë se “ndarja e Kosovës veriore nuk merret në konsideratë dhe se SHBA dhe Rusia nuk do të përfshihen në tryezën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton albinfo.ch.” E këto bisedime, që pritet të jenë përmbyllëse, do të kurorëzohen në fund të vitit të ardhshëm, kohë kjo që përkon me përfundimin e mandatit të Komisionit të BE-së.
E ngarkuara e BE-së për këtë dialog, (Përfaqësuesja e Lartë e BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë) Frederica Mogherini ka thënë pak kohë më parë se ajo ka parë vendosmëri si në Beograd ashtu dhe në Prishtinë, që marrëveshja të nënshkruhet vitin që vjen. Aktualisht duhet të vazhdojnë bisedimet në nivelin më të lartë, pra në mes të presidentëve Thaçi dhe Vucic. Serbia ka provuar javëve të fundit të “skenojë” se çfarë opsionesh mund të vinin në rend dite dhe në këtë kontekst u bë fjalë edhe rreth idesë për ndryshim të kufijve. Ky qëndrim është përfaqësuar në veçanti nga ministri i jashtëm prorus i Serbisë, Ivica Dacic. Ai angazhohej për një ndarje të Kosovës në një pjesë “serbe” dhe një tjetër, “shqiptare”. Këtë ndarje ai madje e quante si zgjidhje të vetme realiste dhe afatgjatë”.
Ndarja dhe shkëmbimi i territoreve
Edhe Vucic dukej se nuk ishte kundër kësaj ideje dhe lobonte që të mbeten të hapura të gjitha opcionet. Në fakt Vucic dhe Thaçi qëndrojnë në kontakt të ngushtë dhe telefonojnë rregullisht mes vete. Ndonëse një ndarje do të ishte kundër kushtetutës së Kosovës, shumë shqiptarëve kosovarë “po u shkon në nerva” problemi i përjetshëm i Kosovës së Veriut dhe disa prej tyre e shohin ndarjen e Kosovës veriore si një mundësi për të hequr më në fund qafe problemin, transmeton albinfo.ch. Por me këtë, sigurisht, do të shpërbëhej konstrukti i Kosovës multietnike.
Për këtë arsye së fundi në këtë temë është inkuadruar edhe Qeveria Federale e Gjermanisë. “Mbrapa kulisave është thënë në mënyrë të qartë se nuk do të negociohet për ndryshim kufijsh”, ka thënë një diplomat për gazetën “Standard”. Ndërkaq “ekziston rreziku që dy të `dinakët` mund të merren vesh me njëri tjetrin për ndonjë itinerar tjetër”. Me `dinakët` është menduar për Vucicin dhe Thacin. Por Vucic me gjasë ndërkohë e ka kuptuar mesazhin nga Berlini. Ndërsa nga ana kosovare duket se ka ende probleme për formulimin e synimeve. Kjo për faktin se ka forca që e kanë syrin te Lugina e Preshevës e cila ndodhet në Serbi, në kufirin me Kosovën dhe ku jetojnë shumë shqiptarë. Është bërë fjalë edhe për një shkëmbim territoresh. Tema është prekur në vazhdimësi, pasi që negociuesit e ekipit të Mogherinit deri tash nuk kishin tërhequr publikisht ndonjë vijë të kuqe të qartë dhe nuk kishin sqaruar se çfarë mund të vihet në tryezën e bisedimeve e çfarë jo. Duke qenë se BE-ja nuk dëshiron të importojë probleme kufijsh, Serbia duhet që me marrëveshjen e pritshme të njohë edhe kufijtë e shtetit të saj fqinj (Kosovës) dhe duhet të parandalohet që Serbia në të ardhmen të pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare si OKB dhe BE, thuhet më tej në artikull.
Gabriel dhe keqkuptimi në mes të “akceptimit” dhe “njohjes formale” të Kosovës nga Serbia
Më tutje aty bëhet fjalë për vizitën e paradokohshme të ish ministrit të jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel në Prishtinë, ku ai ka deklaruar në mënyrë të qartë linjën. Serbia duhet ta `akceptojë` shtetin e Kosovës, ka qenë formulimi i tij, i cili sipas gazetës, është kuptuar gabimisht nga mediet, përcjell albinfo.ch. Kjo sepse me `akceptim` nuk është menduar edhe pranimi ose njohja formale e Kosovës nga Serbia. “Nëse Serbia dëshiron që të përparojë drejt Bashkimit Evropian, ngritja e shtetit juridik është kushti i parë por edhe akceptimi i pavarësisë së Kosovës”. Pra akceptimi, që nënkupton pranim indirekt të ekzistimit të shtetit të pavarur të Kosovës dhe mospengimin e pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në këtë pikë, për kosovarët ka më shumë rëndësi pranimi në OKB, pasi që kjo është penguar deri tash nga vetoja e Rusisë dhe Kinës, si anëtare të KS të OKB-së, vëren gazeta.
Si bazë për marrëveshjen e pritshme në mes të Kosovës dhe Serbisë thuhet më tutje do të jetë marrëveshja bazë që funksiononte dikur në mes të Republikës Federale Gjermane (RFGJ) dhe Republikës Demokratike Gjermane (DDR).
Roli eventual i SHBA-së dhe Rusisë në bisedimet përfundimtare Kosovë-Serbi është po ashtu temë e kësaj analize. Ndërkohë që në Serbi ka qarqe që e preferojnë përfshirjen e Rusisë, kosovarët duan ta kenë në krah mbështetësen deri tash më të rëndësishme të tyre, SHBA-në. Por ministri i jashtëm amerikan Mike Pence, sipas një zyrtari të BE-së ka sqaruar se SHBA nuk ka interes që të luajë një rol në këtë marrëveshje.
A po bëhen spanjollët “më serbë se serbët”?
Një detaj interesant në këtë analizë është ai rreth qëndrimit të Spanjës.
Ministri serb për “dialog të brendshëm” me Kosovën, Marko Gjuriq thotë për gazetën se “BE nuk ka një pozicion të qartë lidhur me çështjen e pavarësisë së proklamuar njëanshëm të Kosovës, gjë që po tregohet edhe në strategjinë e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor”. Këtu ai e ka fjalën për Spanjën, e cila, e tmerruar nga separatistët katalunas, e vë gjithnjë e më shumë në lidhje çështjen e Kosovës me problemet e saj të brendshme politike, transmeton albinfo.ch. Së fundi ishte ministri i jashtëm i Spanjës ai që votoi kundër dokumentit të BE-së për Zgjerim ku përfshihej edhe Kosova krahas 5 shteteve tjera ballkanike kandidate. Edhe për takimin e planifikuar për muajin maj në Sofje, ku do të marrin pjesë veç 28 shteteve anëtare edhe gjashtë shtetet aspirante për anëtarë të BE-së, Spanja është shprehur kundër pjesëmarrjes së Kosovës. Por diplomatët e BE-së shpresojnë se megjithatë “spanjollët nuk do ta teprojnë dhe nuk do të bëhen `më serbë se serbët”. Kjo për faktin se siç dihet, përfaqësuesit e Serbisë gjithnjë më shumë gjatë viteve të shkuara kanë pranuar që të paraqiten në takime ndërkombëtare krah për krah me përfaqësusesit kosovarë.