Kryetari i opozitës Lulzim Basha i ka kërkuar kreut të qeverisë të kthejë urgjent në skemën ekonomike, 30 mijë familjet që ka hequr prej saj dhe ia ka treguar edhe burimin e parave: “Mjafton të mos i japësh Arben Ahmetajt 25 milionë USD për inceneratorët këtë vit”, theksoi ai.
Basha, tek foli për ndihmën ekonomike, i kërkoi kryetarit të Kuvendit, më shumë kohë për të ngritur problemin, por kërkesa iu refuzua.
Basha :Zoti kryetar, ju kujtoj se unë jam edhe kryetar i opozitës dhe ju kujtoj se dua të përdor të njëjtën kohë që përdori kryeministri, dhjetë minuta.
Ruçi: Kjo nuk mund të bëhet. Ai nen nuk aplikohet. Kohën tuaj e përcaktoni vetë. Kryeministri tha se do të zbatojë të drejtën të flasë si kryeministër e do të flasë aq kohë sa i ka dhënë Grupi i tij parlamentar. Dhe ju mund të flisni 40 minuta, aq kohë sa ju jep Grupi juaj parlamentar. Fjala mbaroi. Z. Kryetar i opozitës, duhet ta kuptoni se pasi fiksohet minutazhi nuk mund ta merrni kohën e një deputeti tjetër!
Pas kësaj, Basha e përfundoi fjalën e tij më një apel:
“30 mijë familje janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike pa e ditur se përse. Midis tyre Edi Rama ka qëmtuar disa që qenkeshin me vila apo me makina. Nëse ata janë në skemë, duhej të ishin larguar nga skema jo sot por 1 vit, 2-3-5 vjet më parë se ky njeri ka 5 vjet që qeveris dhe nëse ata janë në skemë është përgjegjësia e tij që ata të largoheshin nga skema. Por Rama nuk ka përgjigje për mijëra, dhjetëra mijëra të tjerë që si këto raste që lexova dhe këto që nuk do të më lejoni me rregullore t’i bëj publike para shqiptarëve, por do t’i bëj publike para medias, iu është hequr buka e fëmijëve dhe për to mban përgjegjësi Edi Rama, i cili ka bërë një akt kriminal.
Nuk jam sot këtu për ta treguar me gisht si përgjegjës që të heqë kufjet, ato që vendos në parlament dhe ato të tjerat që i kanë bllokuar veshët dhe sytë për të parë Shqipërinë e vërtetë, por t’i kërkoj t’i kthejë menjëherë ndihmën ekonomike njerëzve në nevojë, të ndalë gënjeshtrën se këta mund të ndihmohen me 6% e bashkisë. Ai 6% nuk mjafton për të hequr as 1/1000 e atyre që ke hequr nga ndihma ekonomike. Ndale këtë akt kriminal, ktheju ndihmën ekonomike dhe mjafton të mos i japësh Arben Ahmetajt 25 milionë USD për inceneratorët këtë vit!