Lulzim Basha, ka vizituar qytetin e Elbasanit me rastin e Ditës së Verës. Teksa ka vizituar panirin e biznesit, Basha ka gjykuar se tri sektorë, që po spikasin, kanë nevojë direkte për mbështetje nga shteti.
“Me miq dhe dashamirës, me deputetë e qarkut të Elbasanit, – tha Basha para medias, – kemi vizituar si çdo vit, panairin këtu në Elbasan. Dua t’i uroj nga zemra të gjithë ata sipërmarrës, tregtarë, artizanë të cilët çdo vit paraqesin prodhimet e tyre në këtë panair.
Jam impresionuar veçanërisht nga disa biznese, kam parë bashkim vullnetar të zonjave shtëpiake që bëjnë punime dore; kam parë një përparim shumë të mirëpritur në përpunimin dhe mbledhjen e mjaltit dhe në veçanti jam impresionuar që në Elbasan ndodhet një nga fabrikat më të mëdha të paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë.
Përmenda këto të treja, i përzgjodha, sepse meritojnë mbështetje të drejtpërdrejtë nga shteti. Meritojnë mbështetje me ulje dhe pse jo, me heqje të taksave në disa raste dhe me subvencione për të krijuar një atmosferë sa më pozitive për mirëqënien dhe punësimin e shqiptarëve.
Por, më lejoni që këtu nga Elbasan, kryeqyteti i Ditës së Verës, t’i jap një urim çdo banori dhe çdo banoreje të Elbasanit por edhe të gjithë shqiptarëve, gëzuar Ditën e Verës! Ashtu siç çelin lulet në pranverë, ashtu çeltë shpresa dhe optimizmi në zemrën e çdo shqiptari e çdo shqiptarëve. Për shumë vjet gëzuar!”