Në rënie, si rrallëherë kanë qenë të gjitha monedhat e tjera, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Në bursat ndërkombëtare euro këmbehet me 1.23 dollarë, në rënie të lehtë në krahasim me fundjavën e kaluar, por afër nivelit më të lartë të tre viteve të fundit.
Por, si shpjegohet ky mbiçmim i dukshëm i lekut në një ekonomi, ku deficiti i llogarisë korente është ndër më të lartët në rajon (rreth 10% të prodhimit të brendshëm bruto) dhe deficiti tregtar vijon të jetë i lartë për shkak të importeve që janë gati sa dyfishi i eksporteve. Nga ana tjetër, kjo nuk është një periudhë kur ka hyrje të valutës nga turistët, apo nga emigrantët. Ekspertët thonë se arsyet janë disa:
Së pari, në treg po konstatohet një nivel i lartë valute cash i pakontrolluar që ka rritur dukshëm ofertët në euro, por edhe dollarë.
Së dyti, qarkullimi i monedhës vendase në ekonomi është i ulët.
Së treti, politika e deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë ka dekurajuar përdorimin e euros duke bërë që kursimtarët të mos kenë interes ta mbajnë në banka, çka në afatin e shkurtër rrit ofertën në valutë.
Së katërti, në datën 13 bizneset nxitojnë të paguajnë TVSH-në, pasi dita e nesërme që është afati i fundit është pushim. Bizneset që punojnë me valutë nxitojnë ta thyejnë atë.
Së katërti, këmbimet e kompanive të huaja nuk po rezultojnë të larta. Ekspertët e tregut pohojnë se përgjithësisht këtë periudhë ka kërkesë të madhe për valutë, për shkak të transferimit të fitimeve nga bizneset me kapital të huaj.
Ekspertët presin që monedha vendase të vijojë të jetë e fortë sidomos me afrimin e verës, kur pritet ardhja e turistëve dhe e emigrantëve./Monitor