November 25, 2024

Noizy i bashkohet aksionit për gjelbërimin e qytetit

Parku i Liqenit të Farkës ka nisur të marrë formë, si një tjetër hapësirë çlodhëse për banorët e Tiranës, por edhe pjesë e gjurmës ku do të kalojë Pylli Orbital.

Aksionit për gjelbërimin e qytetit kësaj here iu bashkua një mik i veçantë, këngëtari shumë i pëlqyer nga të rinjtë, Noizy, i cili mbolli disa pemë së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj.

Ata i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk i janë bashkuar nismës, që të shfrytëzojnë 10 ditët e fundit për të mbjellë pemë.

Veliaj falenderoi në mënyrë të veçantë Noizy-n, i cili u bë pjesë e aksionit të madh të gjelbërimit, duke sjellë shembullin e mirë për të gjithë ata të rinj që duan të kontribuojnë për një qytet më të mirë.

“Jam posaçërisht i lumtur që një nga miqtë e mi më të mirë, Noizy, na u bashkua me punë vullnetare, sepse edhe ai beson që një artist i mirë është edhe qytetar i mirë. Noizy jo vetëm është një artist i shkëlqyer, por edhe një çun i mirë”, u shpreh Veliaj.

Këngëtari Noizy i bëri apel të rinjve që të bëhen pjesë e kësaj nisme dhe të mbjellin një pemë për ta bërë qytetin edhe më të mirë.

“Nëse unë kam frymëzuar shumë të rinj, edhe ata në moshë disi më të re, do t’ju lutesha të gjithëve që të mbjellin një fidan, qoftë edhe në oborrin tuaj, nuk do të ishte keq, madje diçka shumë e bukur për një qytet të ngarkuar si Tirana. Ndaj, pse jo! Nëse unë jam frymëzim për ju, atëherë ju bëj thirrje të gjithë të rinjve që të kontribuoni sadopak për këtë ndryshim që Shqipëria ka nevojë”, u shpreh Noizy.

Ndërkaq, kryetari Veliaj tha se puna që po bëhet sot me gjelbërimin e Tiranës do të jetë paja më e mirë për brezat që vijnë pas. Për këtë ai solli shembullin e krijimit të Parkut të Madh të Liqenit.

“Sot shohim produktin e atyre që punuan në vitet ‘49-’50 për gjelbërimin e Liqenit të Tiranës. Nëse kontributi që bëjmë sot, pas 10, 20, 30 vitesh do të prodhojë të njëjtin rezultat, atëherë do jemi krenarë që ishim pjesëtarë e bashkëkohës të kësaj gjenerate”, shtoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com