Koreja e Jugut tha se nuk ka marrë ende përgjigje nga Pheniani për takimin e liderit koreanoverior, Kim Jong-un, me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Në një zhvillim të papritur, Trump tha të premten se e pranon ftesën e Koresë Veriore për bisedime direkte.
Zyrtarë të Koresë së Jugut kanë thënë se Kim është i gatshëm të heqë dorë nga armët bërthamore.
Detajet për bisedimet e planifikuara mbeten të paqarta, pa asnjë marrëveshje mbi vendndodhjen apo rendin e ditës.
“Nuk kemi marrë përgjigje zyrtare nga regjimi i Koresë së Veriut në lidhje me takimin”, tha sot një zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit në Seul.
“Mendoj se ata po i qasen kësaj çështjeje me kujdes dhe se kanë nevojë për kohë për të organizuar qëndrimin e tyre”, tha zëdhënësi.
Koreja e Veriut është e izoluar me dekada për shkak të shkeljeve të dokumentuara të të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të armëve bërthamore, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare.
Koreja e Veriut ka kryer gjashtë prova bërthamore dhe ka raketa që mund të arrijnë Shtetet e Bashkuara./REL