Më 14 shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama firmosi një vendim që i sjell favore ekskluzive biznesmenëve më të mëdhenj shqiptarë.
Deri më datën 14 shkurt, vlera tavan e një tenderi duhej të ishte rreth 12 milionë dollarë që ky tender të ishte kombëtar. Në momentin që vlera bëhej mbi 12 milionë dollarë, atëherë autoritetet kishin detyrimin që të shpallnin tender ndërkombëtar dhe të ftonin dhe kompanitë e huaja të merrnin pjesë.
Vendimi i qeverisë, e ka rritur tavanin e vlerës, e ka dyfishuar. Tashmë kjo vlerë është bërë 24 milionë dollarë.
Dyfishimi i tavanit të vlerës, është një barrierë shtesë që qeveria i ka vendosur kompanive ndërkombëtare, duke i lënë më shumë hapësirë kompanive vendase dhe sidomos biznesmenëve ‘të dashur’ të kryeministrit.
Kjo barrierë merr një vlerë të shtuar në kushtet kur që prej vitit 2013, qeveria Rama nuk ka mundur dot të sjellë ndonjë investitor të huaj serioz në vend.
Por ndërsa kryeministri ka rritur barrierat për kompanitë ndërkombëtare, me të njëjtin vendim, Rama ka hequr disa kritere domethënëse që kompanitë shqiptare duhej t’i plotësonin që më pas të futeshin në tender.
Në vendimin e 14 Shkurtit, në Nenin 2 të kësaj VKM-je shkruhet se në Ligjin e Prokurimit Publik do shfuqizohet Pika ‘ç’ e Nenit 26. Shkojmë te Ligji I Prokurimit Publik dhe zbulojmë se ky shfuqizim është një tjetër dhuratë që Rama I bën oligarkëve.
Shfuqizimi që ka urdhëruar Rama në Shkurt 2018 është në fakt një kriter që vetë Rama e kishte vendosur në 29 Dhjetor 2017. Pra ky kriter u shfuqizua pa mbushur dy muaj. Po çfarë thotë kjo pikë?
Kriteri që shfuqizoi Rama i detyronte kompanitë që të mbaronin punën paraardhëse deri në masën 70% dhe pastaj të konkuronin për tenderin e radhës.
E thënë ndryshe, nëse një kompani ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës A-B, kjo kompani nuk mund të hyjë në një tender për rrugën tjetër C-D, pa vërtetuar se ka përfunduar punimet e rrugës A-B me të paktën 70% të volumit të punimeve.
Tashmë ky kriter është hequr dhe Edi Rama u ka hapur rrugën kompanive vendase dhe një grushti biznesmenësh që ai i ka përzemër, duke eleminuar konkurencën ndërkombëtare, por dhe duke i lehtësuar oligarkët me heqjen e kriterit për realizimin e 70% të situacioneve të tenderit paraardhës. /Hashtag.al.