Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, nga Bukureshti deklaroi se në muajt në vijim do të ketë shumë çështje për të diskutuar me Kosovën.
Kjo deklaratë vjen pas informacioneve se Prishtina vazhdon të kundërshtojë formimin e Asociacionit të komunave Serbe, përcjell Gazeta Express.
Vuçiç shpreson se kjo çështje nuk do të destabilizojë marrëdhëniet mes dy vendeve, por nuk dëshiron të shpejtojë me komente dhe se do të reagojë pasi që të marrë informatat e plotë lidhur me zhvillimet e fundit rreth “Zajednicës”.
“Dua së pari ta shoh se për se bëhet fjalë. E shoh se ekziston një moskuptim në publik për esencën e Marrëveshjes së Brukselit. Do ta sjell Marrëveshjen e Brukselit në ditët në vijim para nesh dhe do ta lexoj nga A-ja deri në Zh, ngase shihet qartë se nuk mjafton që ta publikosh në ueb që të mund ta shohin të gjithë. Më jepni 24 orë që të mund të reagoj. Më kuptoni se sot s’kam pasur kohë kokën ta çoj nga puna në Rumani. Nëse është kjo e vërtetë, nuk e di se si mund të jetë çka do qoftë mirë, sepse kjo do të thotë se dikush me vendimet e veta po na fut në destabilizim të ri”,- tha Vuçiç.