Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar me 88 vota ligjin për vetting-un në Polici dhe Gardë.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 121 vota edhe ngritjen e Komisionit Hetimor për Saimir Tahirin.
Sipas projektligjit 12 mijë punonjësit e policisë do të kontrollohen nga dy komisione; nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit vlerëson punonjësit në pozicionet ose me gradat e mëposhtme: a) Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, drejtor departamenti, drejtor i drejtorisë qendrore, drejtor e zëvendësdrejtor vendor dhe shef komisariati, në Policinë e Shtetit; b) Komandant e Zëvendëskomandant, si dhe çdo oficer me gradë major, Nënkolonel dhe Kolonel në Gardën e Republikës; c) Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësit të tij, si dhe drejtorë e shefa sektori, në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Ndërsa Komisioni Qendror i Vlerësimit vlerëson: a) punonjësit e Policisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në strukturat e veçanta, me përjashtim të atyre të përcaktuar në germën “a”, të pikës 1, të këtij neni, punonjësit e Akademisë së Sigurisë, Institutit të Policisë Shkencore, si dhe në strukturat e veçanta; b) punonjësit e Gardës së Republikës me gradë Nëntoger, Toger, Nënkapiten, Kapiten; c) të gjithë punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, me përjashtim të atyre të përcaktuar në germën “c”, të pikës 1, të këtij neni.