November 25, 2024

Familja Jashari, unike në histori

Në histori, për një ditë, orë apo çast kanë rënë qeveri, mbretëri e perandori. E familja Jashari më 5, 6 dhe 7 mars nuk ra, duke ngritur kështu një mur të pakalueshëm, para të cilit ra fuqia e një pushtuesi shekullor të shqiptarëve dhe historia nuk njeh një rast të tillë.

Ishin këto fjalët me të cilat drejtori i Institutit të Historisë, Sabit Syla e hapi konferencën shkencore ndërkombëtare “Jasharajt dhe lufta çlirimtare”, organizuar me rastin e 20-vjetorit të Epopesë të UÇK-së, ku u vlerësua lart personaliteti dhe kontributi i madh i Adem Jasharit dhe familjes së tij, si dritë udhërrëfyese për lirinë dhe çlirimin e atdheut.

Drejtori i Institutit të Historisë ka renditur ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të shqiptarëve në këtë vit jubilar të luftës çlirimtare të Adem Jasharit dhe familjes së tij, me ç’rast theksoi se Epopeja e UÇK-së është simboli i përpjekjes kulmore që sublimoi me krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës.

Ai theksoi se lufta dhe rezistenca e Jasharajve, paraqesin vlerat më të larta të një familjeje, e cila ka për synim lirinë, familje kjo e cila rezistoi e vetme kundër një artilerie të tërë të një shteti.

Syla: Familja Jashari nuk ra

“Në histori ka edhe ngjarje të rastësishme, por kjo nuk ishte rastësi. Historia nuk njeh një rast të tillë të një familje të përbërë nga breza luftëtarësh të devotshëm  për çështjen kombëtare, dhe natyrisht është rezultat i qëllimit të madh të familjes që fund e krye ka pasur lirinë e popullit të vet. Familjet e tilla nderojnë secilin komb, por jo të gjitha kanë madhështi të tillë. Në histori, për një ditë, orë apo çast kanë rënë qeveri, mbretëri e perandori. E familja Jashari më 5,6 dhe 7 mars nuk ra. Ajo ngriti një mur të pakalueshëm, para të cilit ra fuqia e një pushtuesi shekullor të shqiptarëve”, tha ai.

Ndërsa në mungesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua këshilltari politik i tij, Jahja Lluka, i cili ka uruar zbardhjen e vërtetë historike të Epopesë së Adem Jasharit përderisa theksoi se Qeveria e Kosovës do të mbështesë Institutin e Historisë për kërkime dhe punime shkencore.

Lluka: Nëpërmjet kësaj figure lidhet kthesa e madhe historike e popullit shqiptar

“Ndaj kësaj figure më të madhe shqiptare, kanë respekt jo vetëm shqiptarët, por edhe të huajt. Nëpërmjet kësaj figure lidhet kthesa e madhe historike e popullit shqiptar, ku për herë të parë u fitua liria për të cilën kishin sakrifikuar shumë gjenerata, por edhe e fituam aleatin natyror SHBA-në. Veprimtaria dhe përkushtimi kombëtar i Adem Jasharit është zhvilluar në shumë dimensione, por qëllimi ka qenë gjithmonë vetëm një, shqiptarët të realizojnë ëndrrën e tyre shekullore për liri dhe pavarësi “, tha ai.

Ish-zëdhënësi i luftës së UÇK-së, Jakup Krasniqi, duke folur për kontributin e Jasharajve të Prekazit në luftën çlirimtare të Kosovës, tha se shekulli 20 ishte shekulli i Prekazit.

Ai u shpreh i bindur se nuk beson të jetë zhvilluar një luftë e tillë mes një shteti të tërë dhe një familje të vetme, sikur që ishte ajo e familjes Jasharaj.

Krasniqi: Shekulli 20 ishte shekull i Prekazit

“Shekulli XX ishte shekull i Prekazit. Filloi në vitin 1912-1913, Ahmet Delia me sëpatë, i vazhduan në kohën e lëvizjes kaçake, në Luftën e Dytë Botërore dhe sa herë Kosova ka lëvizur, Prekazi ka qenë vendi ku ngjarjeve iu ka dhënë një impuls më të rëndësishëm të atyre viteve. Dhe pa dyshim se kulmi i gjithë kësaj është familja e Shaban Jasharit, në mënyrë të veçantë komandanti legjendar Adem Jashari, i cili vërtetë hapi një epokë të re në historinë tonë. Në luftën e fundit, gati krejt në fillim të saj, pas Likoshanit dhe Qirezit, nis Epopeja e UÇK-së, e drejtuar nga vet komandanti Adem Jashari, e përqendruar në ambientin familjar të tij, ku u bënë tri ditë luftë, luftë e shtetit të armatosur deri në dhëmbë, me një familje që kishte pak armë dhe municion. Në Prekazin e poshtëm, Jasharët legjendar luftuan kundër një shteti që kishte angazhuar forca të shumta ushtarake policore, i cili shtet përdori atë d itë gjithë arsenalin ushtarak, tanket e artilerinë e rëndë”, tha Krasniqi.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, gjatë kohës së luftës në Kosovë,  Paskal Milo, ka kujtuar disa nga momentet më të rëndësishme që kanë ndodhur në atë kohë. Porse nuk ka lënë pa përmendur faktin se kishte pritur që të kishte më shumë personalitete politike, ish luftëtarë e komandantë të UÇK-së  dhe njerëz me ndikim në këtë konferencë.

Milo: Kjo ngjarje e meriton një pjesëmarrje më solemne dhe më të gjerë

“Është vërtet ngjarja shumë e çmuar për historinë bashkëkohore të Kosovës dhe e meritonte një pjesëmarrje më solemne dhe më të gjerë. Padyshim që organizatorëve nuk iu vjen keq, unë me këtë vërejtje i ndihmoj në raste të tjera që të ketë një pjesëmarrje të nivelit që e meriton, siç është sot një pjesëmarrje e jubileut të 20-vjetorit të rënies së Adem Jasharit. Por shpresoj që ne do të bëjmë përpjekje me këto kontributet tona që ne t’i evidentojmë këto kontribute të shquara”, u shpreh Milo.

E historiani Marenglen Verli, tha se Drenica gjithmonë ka qenë qendër e qëndresës në luftën për mbrojtjen dhe lirinë e vendit.

Ndryshe, konferenca do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të ditës, ku historianë dhe akademikë do të shtjellojnë ato që kanë përmbledhur në kujtim dhe jetës, veprës dhe heroizmit të komandantit Adem Jashari.Raporton Botasot

Facebook Comments

MineralHygienics.com