Mbyllja me shpejtësi e bizneseve si dhe pamundësia e tyre për të paguar taksat e kanë detyruar administratën tatimore, që të pranojë pagesën me këste. Drejtoria e Përgjithshme e tatimeve sqaroi procedurën se si bizneset që nuk arrijnë të paguajnë në afat detyrimet tatimore, mund ta paguajnë borxhin me këste.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, shtyrja e pagesës së detyrimeve tatimore nis me kërkesën e vetë biznesit. Për këtë ndërmarrja që nuk mundet të paguajë në afat taksat duhet të bëjë një kërkesë me shkrim ku të kërkojë marrëveshje me administratën tatimore, për shlyerjen e detyrimit me këste.
Por që kërkesa të miratohet biznesi duhet të paguajë menjehërë 20 për qind të vlerës së detyrimit ose të japë garanci bankare.
Procedura
-Dorëzohet kërkesa me shkrim pranë Drejtorisë Rajonale.
-Tatimet verifikojnë situatën e tatimpaguesit.
-Hartohet marrëveshja.
-Tatimpaguesi paguan menjëherë të paktën 20 për qind të vlerës së detyrimit.
Pagesa e taksave
Pas lidhjes së marrëveshjes Administrata Tatimore ndërpret menjëherë masat e mbledhjes me force të taksave, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor.
Lehtësimi i pagesës së detyrimeve me këste vjen në një kohë kur bizneset po mbyllen me një ritëm të paprecedentë, që nuk është shënuar ndonjëherë më parë. Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm në dy muajt e parë të vitit janë mbyllur mbi 3 mijë biznese, me një mesatare prej 50 biznesesh të mbyllura në ditë.
Kjo situatë duket se e ka detyruar Administratën Tatimore që të lëshojë pe duke i mundësuar bizneseve pagesën me këste të taksave kur ato janë në vështirësi financiare. Megjithatë ky duket një hap thuajse i dëshpëruar, i cili ka pak gjasa të përmirësojë situatën e vështirë të biznesit, që buron nga kriza ekonomike dhe taksat e larta.