November 24, 2024

PS-PD drejt një pakti të ri pa SHBA-BE?

Krahas marrëveshjes me ndërmjetësimin e Brukselit, për të dalë me një rezolutë të përbashkët për çështjet e integrimit dhe çeljen e negociatave, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste janë në negociata për arritjen e një pakti të ri.

Pakti konsiston në dakordësimin për plotësimin e kuadrit ligjor të reformës në drejtësi si dhe për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Dy paritë kryesore në vend kanë ngritur një grup të përbashkët ekspertësh për shqyrtimin e 8 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ku tre prej të cilëve kanë të bëjnë me dy ligje të reformës në drejtësi.

Ekspertët janë Jonida Gaba dhe Besmir Beja, të propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, Gazmend Bardhi i propozuar nga PD, dhe Ilir Qafa i propozuar nga grupi parlamentar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndërkaq, çdo ndërhyrje në ligjet e reformës në drejtësi kërkon një shumicë të cilësuar prej 84 votash, çka e bën të detyrueshëm konsensusin mes PS dhe PD, në kushtet kur shumica ka vetëm 74 vota në Parlament.

Dy ligjet që duhet të ndryshojnë janë ligji për për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit dhe ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Disa nene të ligjeve në fjalë janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, pas padive të bëra nga Partia Demokratike dhe shoqatat e gjyqtarëve.

Në këtë kuadër, ekspertët e PD, PS dhe LSI do të paraqesin një material, shoqëruar me amendamentet përkatëse, të cilat do të miratohen më pas nga mazhoranca dhe opozita në Parlament. Pavarësisht mosmarrëveshjeve me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme Arta Markut dhe miratimin e 10 anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duket se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste e kanë gjetur gjuhën e përbashkët për ta mbyllur pakën e ligjeve të rëndësishme për reformën në drejtësi.

Përjashtohen SHBA-BE
Partia Demokratike nuk ka pranuar që misionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, OPDAT-it apo të EURALIUS-it, të japin asistencën e tyre për ndryshimin e dy ligjeve të reformës në drejtësi.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit për këtë çështje, deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, nuk pra pranuar propozimin e deputetëve të PS, Vasilika Hysi dhe Alket Hyseni, për t’u kërkuar opinion OPDAT-it apo të EURALIUS-it.

“Ky është një propozim që ju kërkoni ta hedhim në votë. Në cilësinë e kryetarit, edhe për aq ditë sa jam, nuk do ta hedh në votë për një arsye fare të thjeshtë! Së pari, ekspertët e OPDAT-it apo të EURALIUS-it nuk kanë asnjë lloj marrëveshje me Kuvendin e Shqipërisë. Ju mund ta merrni privatisht, siç keni bërë deri tani, s’ka nevojë ta hedhim në votim… Nuk hidhet në votim!

Nuk hidhet në votim, sepse kemi përcaktuar cilët janë ekspertët, kemi përcaktuar kohën, afatin, dhe, e fundit, nuk është dinjitoze që ta përdorim ONM-në kur na vjen për mbarë, dhe kur nuk na vjen për mbarë, ta keqpërdorim! Jo, reforma e drejtësisë është një reformë shqiptare, siç e kanë thënë ata, dhe përgjegjësia është përcaktuar që do të bjerë mbi shpatullat e politikës shqiptare për një drejtësi të drejtë dhe të vërtetë dhe jo për ta nëpërkëmbur atë duke keqpërdorur emra të tjerë. Qartë?”, ka pohuar deputeti Alibeaj.

Raportimi paraprak i ekspertëve 
“Bazuar në detyrat e lëna nga mbledhja e kaluar për të evidentuar jo vetëm vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë krijuar vakuum ligjor, por nëse nga Kuvendi, natyrisht me iniciativën qoftë të deputetëve ose të qeverisë janë bërë përmirësime.

Nga verifikimi që është bërë referuar pikërisht referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por referuar edhe Qendrës së Publikimeve Zyrtare, kemi verifikuar pikërisht vendimet: Për vendimin nr. 55, datë 27.07.2016 me objekt: “Shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të paragrafit 3 të nenit 5, të ligjit nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me ligjin nr. 151, datë 30.05.2013” është miratuar ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e kësaj gjykate dhe pikërisht ka qenë në paketën e reformës në drejtësi, ligji nr. 98/2016.

Pra, kemi të bëjmë me një ligj të ri, i cili ka shfuqizuar ligjin e mëparshëm dhe mënyra e organizmit dhe e funksionimit është rregulluar dhe kështu nuk ndodhemi përpara një vakumi ligjor; Vendimi nr. 60, datë 16.09.2016 me objekt: “Shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 4 të ligjit nr. 143/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9136, datë 11.09.2013 “Për mbledhjen e kontributeve të detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të Republikës së Shqipërisë”, vetëm për pjesën në të cilën është ndryshuar pika 1 e neni 9 me këtë përmbajtje… Edhe për këtë rezulton, që pas shfuqizimit nga Gjykata Kushtetuese, pikërisht të nenit 4, i cili ndryshonte nenin 9 të ligjit ekzistues, është bërë rregullimi ligjor. Kemi miratimin e ligjit nr. 25, datë 09.032017 dhe të VKM-së “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 1, datë 25.01.2017 të Këshillit të Ministrave”.

Pra, edhe në këtë rast është rregullim ligjor. Natyrisht, është bërë rregullimi dhe janë pranuar në këtë rregullim pretendimet e kërkuesve në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, kemi vendimin nr. 16, datë 01.03.2017 me objekt: “Shfuqizimi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 142/2015 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”. Pezullimin e ekzekutimit të ligjit me hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Edhe për këtë është miratuar ligji i ri nr. 106, datë 30.11.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, ligje të cilat janë fuqi, nuk janë ankimuar nga subjekte të interesuara, të cilave u janë ankimuar dispozita të veçanta të ligjeve të mëparshme.

Pra, në kuadër të vendimeve, të cilat janë lënë për shqyrtim nga Këshilli i Legjislacionit, për vendimet, të cilave u është rregulluar vakumi ligjor, natyrisht edhe ne si shërbim sugjerojmë dhe e lëmë në çmimin tuaj për t’u vlerësuar, sepse është Këshilli i Legjislacionit që e vendos. Këto janë 3 vendimet. Ndërsa për pjesën tjetër nuk ka rregullime ligjore dhe këtu përfshin 3 vendimet që lidhet me reformën zgjedhore, 1 vendim është për mediet audiovizive, 1 vendim për mjetet motorike dhe 1 vendim për kthimin dhe kompensimin e pronave. Pra, te këto vendime nga kërkimet që kemi bërë nuk kemi gjetur, sepse ne ju kemi vënë edhe bazën se ku jemi referuar, ku kemi bërë kërkimet, ku kemi gjetur…”./Shqiptarja/

Facebook Comments

MineralHygienics.com