Turizmi ka vijuar të ruajë ritmin pozitiv edhe në muajin e parë të këtij viti.
Sipas statistikave të INSTAT, në janar kanë hyrë në Shqipëri 232 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 34,5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur u vu re një rënie e dukshme e turistëve nga Kosova, ata kanë filluar të rikthehen sërish këtë vit. Shtetasit nga Kosova qëndrojnë në vend të parë për nga hyrjet, me 77 mijë, me një rritje prej 34.3% në raport me janarin e një viti më parë. Në vend të dytë janë maqedonasit, me 37 mijë hyrje, të cilët kanë shënuar edhe rritjen më të madhe me 47,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vend të tretë vijojnë grekët me 31 mijë hyrje dhe rritje 31%.
Më pas janë malazezët dhe italianë, me përkatësisht 28 mijë dhe 19 mijë hyrje.
Turistët e tjerë, që vijnë kryesisht në sezonin e verës, si anglezët, polakët etj kanë qenë në pakët në numër në janar.
Edhe në 2018-n turizmi pritet të përjetojë një vit pozitiv, në vijim të sezonit të kaluar, ku Shqipëria u “zbulua” nga polakët, çekët, anglezët etj. Hotelet e mëdha në bregdet janë tashmë të rezervuara dhe krahas polakëve që mbizotëruan vjet, këtë vit pritet të ketë edhe shumë nordikë e më pak ukrainas.
Lëvizjet Në total, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në vend, në muajin Janar 2018 është 605.444, duke u rritur 29,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi, gjatë muajit Janar 2018, janë 726.463 duke shënuar një rritje me 30,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Janar 2018, është 448.103. Krahasuar me Janar 2017, ky numër është rritur 20,8 %.
Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të të huaj në muajin Janar 2018, në rrugë tokësore zënë peshën më të madhe të hyrjeve gjithsej me 79,8 %, ndërsa hyrjet në rrugë ajrore zënë 16,6 % dhe detare zënë 3,6 %. /Monitor/a.m.