November 24, 2024

Juncker edhe në Shqipëri për të dhënë shpresa, por Merkel nuk përmend as vitin 2025

Nga e diela e deri të mërkurën (26 shkurt – 01 mars 2018) presidenti i Komisionit të BE-së, Jean Claude Juncker, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor. Nga Brukseli, Bernd Riegert

Me këtë turne rrufe në Maqedoni, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Herzegovinë dhe Kosovë, Junckeri synon të “japë kurajë”, siç e quan ai. Në strategjinë e prezantuar para do kohe ai kishte përmendur për herë të parë një datë për anëtarësim të mundshëm në BE, konkretisht vitin 2025. Por kjo datë nuk do të thotë se pas shtatë vjetësh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së. “Kjo është vetëm një datë inkurajuese”, tha Junckeri para vizitës.

Gjashtë qeverive të anëtarëve potencialë të BE-së duhet t‘u kërkohet që të bëjnë më shumë reforma, të bëjnë më shumë për shtetin ligjor, të luftojnë korrupsionin, të garantojnë lirinë e medias, të nxisin ekonominë dhe të zgjidhin konfliktet me njëri-tjetrin.

Vetëm nëse kjo do të bëhet në masën e duhur dhe nëse plotësohen disa kritere, do të ketë anëtarësime, thonë burime nga zyra e Juncker-it në Komisionin e BE-së. Vullneti i BE-së për anëtarësim ekziston dhe këto vende kanë një perspektivë të vërtetë.

Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë negociatat

Pak para se presidenti i Komisionit të niset për Ballkan, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia së shpejti mund të fillojnë negociatat formale të anëtarësimit. Në verë, tha Hahn, do të caktohet një datë konkrete. Deri tani  negociata formale kanë filluar vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe Mali i Zi, i cili është anëtar i NATO-s ka bërë përparimet më të mëdha.

“Këtu kemi të bëjmë me 18 milionë njerëz në gjashtë shtete të rajonit që ndodhen ende në situata delikate. Prandaj është në interes të BE-së, që t’i ndihmojë këto shtete dhe këta njerëz e t’u japë një perspektivë”, pat thënë Johannes Hahn gjatë prezantimit të strategjisë më të fundit për Ballkanin.

Probleme të pazgjidhura nga e kaluara

Gjatë udhëtimit të tij në Ballkan, kryetari i Komisionit, Jean-Claude Juncker, do të haset me një sërë konfliktesh të pazgjidhura ndërmjet shteteve. Atë më të madhin e ka për momentin Kosova, e cila nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së dhe para së gjithash nga Serbia. Para se Serbia ose Kosova të bëhen dikur anëtare të BE-së, ky problem duhet të zgjidhet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përpiqet që t’i parapërgatisë shtetasit e vet se në fund duhet ta njohin Kosovën. “Për ta parë veten në Europë, na duhet të paguajmë një çmim nga e kaluara”, tha Vuçiçi gjatë vizitës së tij në Komisionin Europian, dy javë më parë. Bashkimi Europian përpiqet prej katër vjetësh të arrijë një pajtim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, deri tani pa sukses bindës. Junckeri do të ndërmarrë një përpjekje të re për ndërmjetësim në udhëtimin e tij në Ballkan, thonë qarqe diplomatike nga Brukseli.

Jo vetëm pasojat e luftës së Kosovës, por edhe pasojat e luftërave civile në ish-Jugosllavi do të merren me presidentin e Komisionit të BE-së. Kroacia, tashmë anëtare e BE-së, dhe Serbia kanë disa llogari të hapura për shkak të reparacioneve të luftës. Bosnja-Hercegovina vazhdon të jetë e ndarë etnikisht mes kroatëve, serbëve dhe myslimanëve dhe thuajse e paaftë për të funksionuar. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, gjatë një vizite në Bruksel, tha se ekzistojnë „interesa të përbashkëta” mes Kroacisë dhe Serbisë për të bashkëpunuar ekonomikisht dhe politkisht në kuadër të BE-së. Por, sipas tij, ka shumë çështje të hapura në lidhje me reparacionet e dëmeve të luftës.

Juncker do të sqarojë dhe do të kërkojë durim

“Ne mund të ndikojmë këtu duke sqarur dhe duke ua bërë të qartë se problemet duhet të zgjidhen, përndryshe vetëm sa humbim kohë”, tha Jean-Claude Juncker disa ditë para nisjes në Ballkan. Veç kësaj në Europë duhet durim, tha Juncker. Marrëveshja e reparacioneve të luftës ndërmjet Gjermanisë dhe Luksemburgut u arrit vetëm pas 45 vjetësh”, tha Junckeri, i cili më parë ka qenë kryeministër i Luksemburgut.

Nga vera, ose nga fillimi i vjeshtës Komisioni i BE-së do të publikojë itineraret konkrete për secilin prej gjashtë vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Itinerearet do të marrin parasysh rrethanat në secilin vend, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së. Më parë kryetarja e radhës së BE-së, Bullgaria, e pati ftuar BE-në Sofje për një samit mbi Ballkanin Perëndimor. Bullgarët duan t’u japin patjetër një hov të ri negociatave me shtetet e tyre fqinje në Ballkan. Ndërsa Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore në BE kanë shumë rezerva. Kancelarja federale, Angela Merkel, për shembull, nuk e ka përmendur kurrë vitin 2025 si datë të mundshme për anëtarësim.

Shefi i komisionit të BE-së, Juncker, e ka thënë vazhdimisht se sa kohë që ai është në detyrë, pra deri në shtator të vitit 2019, nuk do të ketë zgjerim. Për këtë refuzim kategorik ai është kritikuar nga miqtë e Ballkanit si shkurajues. Tani Juncker po kalon në një kurs më pozitiv, por anëtarësimin konkret prapëseprapë preferon t‘ua lërë pasuesve të tij, në vitin 2025 e më pas.

*Marrë nga DW, titulli në orgjinal; Zgjerimi i BE-së: Juncker udhëton në Ballkan

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com