November 24, 2024

Gripi stinor bëhet sfidë globale, reagon OBSH: Të forcohen përbërësit e vaksinës

Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi nevojën e zëvendësimit në kohë të përbërësve të vaksinës së gripit stinor për të forcuar efikasitetin e saj. Më 22 shkurt në Gjenevë u mbyll takimi zyrtar i OBSH-së që diskutoi mbi përbërësit e vaksinës së gripit stinor në Hemisferën Veriore për periudhën e viteve 2018 – 2019.

Çdo dy vjet OBSH-ja organizon takime me specialistë nga e gjithë bota për të analizuar të dhënat globale të viruseve të mbledhur nëpërmjet sistemit të mbikëqyrjes të organizatës dhe për të paraqitur sugjerime për përbërësit e vaksinës për stinën e radhës.

Drejtori i planifikimit të emergjencave shëndetësore i OBSH-së, Peter Salama, tha se gripi stinor është një sfidë globale:

“Pavarësisht përpjekjeve tona, virusi i gripit stinor krijoi një sfidë globale për ne. Karakteristika më e rëndësishme e këtij gripi stinor është pasoja tragjike, qindra e mijëra njerëz kanë vdekur prej tij. Çdo vit, afro 650 mijë njerëz humbin jetën për shkak të gripit stinor.”

Gripi stinor është një infeksion i menjëhershëm në aparatin e frymëmarrjes, që përhapet në të gjitha rajonet e botës. Viruset e gripit stinor ndahen në katër kategori: A, B, C dhe D.

Viruset e gripit A dhe B mund të shkaktojnë sëmundje epidemike. Gripi stinor mund të përhapet nga ndërveprimi i njerëzve dhe mund të infektojë grupmosha të ndryshme.

Përgjegjësi i Programit Global të Gripit të OBSH-së, Zhang Wenqing, theksoi se rinovimi i vaksinës kundër gripit është shumë i rëndësishëm, shkruan CRI.

OBSH-ja theksoi gjatë takimit nevojën e rinovimit në kohë të viruseve të përfshira në vaksinë, për të përballuar ndryshimin e vazhdueshëm viruseve të gripit dhe duke garantuar efikasitetin e vaksinës.

Sipas traditës, organet mbikëqyrëse të vaksinave të vendeve të ndryshme dhe kompanitë farmaceutike do të bëjnë zbulimin, prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave kundër gripit stinor sipas sugjerimeve të OBSH-së.

Duke folur për situatën e parandalimit dhe mbikëqyrjes së gripit në Kinë, profesor Zhang Wenqing u shpreh se Qendra e Viruseve e Kinës është një ndër gjashtë partnerët globalë të bashkëpunimit të OBSH-së. Kohët e fundit, Kina zbuloi dhe kuroi me sukses pacientin e parë të prekur nga virusi H7N4, ndërsa paraqiti aftësi të fortë mbikëqyrjeje.

Në fushën e parandalimit të gripit stinor, profesor Zhang Wenqing, sugjeroi vaksinimin, veçanërisht për foshnjat, të moshuarit dhe pacientët e prekur nga sëmundjet kronike. Përveç kësaj, higjiena e mirë personale mbetet shumë e rëndësishme për parandalimin e infektimit nga gripi.

 

Facebook Comments

MineralHygienics.com