Ndërsa greku është duke realizuar qetësisht projektin shovinist të Megalo Idesë, opinionistët, zëri opozitar i politikës, madje edhe Bashkimi Europian, merren me deklaratën marroke të kryeministrit Edi Rama për një President të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Edhe vetë Edi Rama e di që kjo deklaratë e hedhur si shashkë është një “pesë me hiç”. Ai, prandaj e ka bërë një gjë të këtillë, me qëllimin e vetëm që të tërheqë vëmendjen patriotike diku gjetkë. Madje, makina e tij e propagandës e orkestroi në vetë të parë sulmin ndaj kësaj teze të re, të cilën do e ketë shpikur, teksa lironte mendimet e zëna kaps.
Duhet pranuar që Edi Rama është mjeshtri më i madh i propagandës qysh pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës. Është i vetmi që i njeh kaq mirë caqet emocionale dhe politike të kundërshtarëve të tij mediatikë apo politikë, sa kësaj here eci pas shprehjes së mirënjohur popullore: “hedh budalla një gur në lumë, e sulen të zgjutët ta qisin”.
As ai vetë e as ndonjë tjetër nga makina e tij e propagandës as nuk do, as nuk e çon në mend që dy shtetet shqiptare të kenë një President të përbashkët. Kur nuk bashkojmë dot dy dogana, si mund ta bashkojmë kreun e shtetit?
Por, qëllimi është i thjeshtë; të largojmë vëmendjen nga tragjedia që po luhet në jug të vendit, ku kreu “patriot” i qeverisë po bëhet gati të firmosë realizimin jetik të Vorio Epirit.
E para, premton zona të reja minoritare që do të mbrohen me status (ligj). Himara do të jetë minoritare. Atë që nuk e pranoi kurrë Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Fan Noli, madje edhe Enver Hoxha, do e pranojë Edi Rama.
E dyta, termi “Çamëri” do të hiqet nga tekset e gjeografisë dhe historisë. Me heqjen e termit nuk ka pse të ketë më një Çështje Çame e natyrisht nuk ka pse të kërkojmë që në këtë krahinë është bërë gjenocid. Bëhet nul Rezoluta e Kuvendit për Çështjen Çame që e detyron Parlamentin e Shqipërisë për zgjidhjen e kësaj Çështje Kombëtare.
E treta, në marrëveshjen e detit sipas zërit zyrtar “To Vima” mësohet se Greqia përfiton 306 km2 si në marrëveshjen që rrëzoi Edi Rama në Gjykatën Kushtetuese.
E katërta, gjuha greke kthehet zyrtare në katër zona ku ne njohim minoritetin, gjë që do të thotë që në qytete si Gjirokastra do i kesh dokumentet e shtetit në dy gjuhë, rrugë, pse jo dhe monumentet, duke e nisur me shtatoren e Çerçiz Topullit.
Mund të ketë edhe pesë apo gjashtë, por janë detaje të tjera që nuk i dimë, sepse këta tanët heshtin, kurse Nikos Kotzias andej është bërë fjalaman. Këta po negociojnë dhe nuk e tregojnë gjallë në botë as negociatorët. Këta po kryejnë punë, por këndej merren me Presidentin e përbashkët, ndërsa Batoni ka hallin që ia kemi shkëputur nga konteksti.
Këto reagimet politike dhe të komentatorëve për presidentin e përbashkët është si puna e Titanikut që teksa mbytej, muzikantët i binin violinës që të mbanin njerëzit me gajret.
Marre nga Syri.net