Dua Lipa nuk ka pasur ftesë zyrtare nga institucionet e vendit që të interpretojë në Prishtinë në Ditën e Pavarësisë. E për më tepër, as që është biseduar për ndonjë kosto që ajo t’i përgjigjej ftesës.
Këtë e ka konfirmuar stafi i këngëtares së njohur botërore ashtu sikurse edhe Presidenca e Kosovës. Kjo e fundit ka thënë se ka tentuar ta sillte edhe Lipën dhe këngëtaren tjetër me prejardhje shqiptare Bebe Rexha, por kjo ka mbetur në nivel bisedash pasi një gjë e tillë paraprakisht ka qenë e pamundur.
Dukagjin Lipa, pjesë e stafit menaxherial dhe njëherësh babai i këngëtares që po arrin majat në skenën botërore, i ka thënë “Kohës Ditore” se të gjitha diskutimet janë bërë në lidhje me kohën dhe orarin e saj, por edhe këto biseda qenë jozyrtare.
“Të gjitha diskutimet që i kemi bërë për ardhjen e mundshme të Duas në Prishtinë kanë qenë lidhur me kohën dhe orarin e saj, por edhe këto biseda kanë qenë në forma miqësore, krejtësisht jozyrtare. Prandaj nuk është i vërtetë as pretendimi e as shuma e cila është përfolur në këto portale, pasaktësi për të cilën ne ndiejmë keqardhje”, ka thënë Lipa.