November 23, 2024

Bankat vendosin një rregull të ri: Nëse depozitoni më shumë se 50 mijë euro…

Gjatë janarit dhe shkurtit bankat e nivelit të dytë kanë afishuar në vende të dukshme një tabelë ku sanksionohet një kufi i ri për sasinë e parave që mund të depozitohen pa një dokument që vërteton burimin.

Ky kufi është 50 mijë euro ose vlera e barabartë në çdo monedhë tjetër. Konkretisht në tabelat e afishuara bëhet e qartë se ky rregull ka nisur që nga data 17 janar dhe vjen si efekt i kuadrit rregullator.

“Në zbatim të kuadrit rregullator vendas dhe europian në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duke filluar nga data 17 janar 2018 për derdhjen e parave në shuma të mëdha nbi 50 nijë euro ose ekuivalenti në monedha të tjera, sportelet e bankës sonë kërkojnë dokument mbështetës për të justifikuar burimin e të ardhurave. Nëse nuk plotësoni këtë kërkesë banka ka të drejtë të mos i pranojë paratë” thuhet në njoftimin e afishuar nga banka.

Më parë, individi që depozitonte paratë bënte një deklarim dhe e mbante vetë përgjegjësinë e burimit nga i kishte siguruar të ardhurat, ndrërsa tashmë përgjegjësia duket se i ka kaluar bankës.

Në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave sanksionohen disa raste se kur bankat apo insitucionet e tjera duhet të kenë vigjilencë më të lartë mbi transaksionet që kryhen. Ky kufi për rastin e transaksioneve është në vlerën 1 milionë lekë. Për rastin e shitjes së pasurive të paluajtshme është Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ajo e cila ka detyrimin që të raportojë çdo ndryshim pronësie me një vlerë 6 milionë lekë ose vlerë e barabartë me këtë në një monedhë tjetër.

Vigjilenca që kanë bankat ndaj transaksioneve dhe klientëve është e ndarë në dy kategori. Së pari ajo që njihet si vigjilenca e duhur që sanksionon tërësinë e masave që duhet të aplikojnë subjektet, me qëllim identifikimin dhe verifikimin e plotë dhe të saktë të klientëve, pronarit përfitues përfundimtar, strukturës së pronësisë dhe të kontrollit për personat juridikë dhe organizimet ligjore, natyrën dhe qëllimin e transaksionit apo marrëdhënies, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të biznesit dhe të shqyrtimit të vazhdueshëm të transaksioneve, për të siguruar që janë në përputhje me natyrën e biznesit të klientit dhe profilet e rrezikut, duke përfshirë, kur është e nevojshme, burimin e fondeve.

Së dyti vigjilenca e zgjeruar ndaj klientit që është një proces më i thellë kontolli.

Masa e fundit që kanë afishuar bankat lidhen me paranë “cash” që mund të disponohet nga individët apo bizneset dhe për të cilën kërkohet depozitim në bankë. Në këto raste individi apo biznesi duhet ta kenë të shoqëruar me dokument burimin e të ardhurave nëse vlera është mbi 50 mijë euro.

Facebook Comments

MineralHygienics.com