November 24, 2024

Edhe “Kosova Sot” e refuzon dekoratën nga Presidenti, e quan kryeprotagonist i klanit “Pronto”

Në rrethana normale, çdo vlerësim, mirënjohje e nderim nga Presidenca e shtetit, për gazetën “Kosova Sot”, do të ishte e mirëseardhur, duke e pasur parasysh historikun e medias sonë dhe kontributin për liri, pavarësi, demokraci e sundim të ligjit. Gazeta “Kosova Sot” për  gati 21 vjet të botimit ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë ekskluzivisht zë i qytetarëve të vendit. Ishim zë i qytetarëve edhe në kohët më të vështira të luftës, kur edhe përkrahëm haptas luftën çlirimtare, duke raportuar çdo ditë nga çdo pjesë e Kosovës, duke rrezikuar edhe jetën, duke publikuar edhe kalendarin e parë me ushtarët e UÇK-së.

Si “shpërblim” për politikën editoriale të pavarur regjimi kriminal serb na dënoi pa gjyq, na ndaloi më 18 mars 1999, dhe na dogji me flakëvënie e shkatërroi më 24 mars 1999, duke shkatërruar pajisjet e Redaksisë dhe Shtypshkronjës më të madhe në vend. Tërë ky kontribut i Gazetës “Kosova Sot” si dritare e informimit për qytetarët nuk u ndërpre këtu. Gazeta “Kosova Sot” mblodhi forcat dhe  vazhdoi me botimin e saj, por edhe arriti, përkundër vështirësive dhe bllokadave të pandërprera politike, që të kthehet shumë shpejt në krye të tregut medial kosovar.

Gazeta “Kosova Sot” për punën dhe kontributin në këto afro 21 vjet meriton jo një, por edhe më shumë dekorata. Por, kur një dekoratë e tillë mban nënshkrimin e një individi, i cili, pasi e shpërdoroi emrin e UÇK-së, abuzoi duke kapur tërë pushtetin e pasluftës dhe shkeli idealet e dëshmorëve të rënë  dhe të  qytetarëve të gjallë, dhe  kjo nuk mund të pranohet në heshtje.

Gazeta “Kosova Sot” nuk mund ta pranojë një dekoratë që vjen prej një oligarku të inkriminuar, që pasi zaptoi çdo institucion të shtetit, e futi nën sundimin e tij edhe Presidencën e shtetit. Themelimi i kësaj Gazete dhe politika e saj editoriale ka qenë gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim, të aspiratave të tyre për shtet të së drejtës, për zhvillim, prosperitet e mirëqenie, për liri të shprehjes dhe vlera demokratike e ligjore. Të gjitha këto atribute të një vendi normal, u përdhosën nga personi dhe “klubi” i tij,  që sot është në krye të Republikës.

Ai që të vret natën e të qan ditën nuk është i besueshëm dhe as i dobishëm për askënd, por i rrezikshëm në çdo moment. Gjatë sundimit të Presidentit aktual të Kosovës, por edhe gjatë kohës sa ishte kryeministër, shumicën absolute  të mediumeve ka arritur t’i futë nën kontroll. Është pikërisht pavarësia e paanshmëria  editoriale  e “Kosova Sot”  që e bëri Gazetën të mbijetojë për 21 vjet të tërë, dhe kjo sigurisht se nënkupton sakrificë për themeluesin e drejtuesit e saj, por do të thotë shumë për mbrojtjen e së vërtetës. Nuk mund ta pranojmë një dekorim të pasinqertë, mashtrues, propagandistik, që vjen nga zyrat e njeriut kryeprotagonist të klanit “Pronto”.

“Kosova Sot” është dhe mbetet dritare e informimit të lirë, me  objektiv të luftës për të vërtetën, që kaq shumë i pengon Presidentit aktual dhe mafio-oligarkëve e agjentëve përreth tij, disa prej të cilëve edhe i ka shpërblyer. Është fatkeqësi për popullin tonë dhe vetë Republikën, se në duart të kujt ka mbetur shteti dhe ndarja e dekoratave me peshë të çmueshme për vendin tonë!

Redaksia e gazetës “Kosova Sot”

Facebook Comments

MineralHygienics.com