Albert Einstein ka thënë se: “Nëse bletët zhduken, jo më shumë se 4 vite më vonë do të zhduket edhe njerëzimi”. Sipas fermerëve shqiptarë, ende nuk njihet rëndësia jetike e bletëve. Nga informacionet e marra nga Shoqata e Bletërritësve, kontaktet me disa fermerë në vend, si dhe opinionet e specialistit Dr. Vitor Malutaj, kreu i ‘Agro Puka’, problemet janë:
Shqipëria ka rreth 365,000 koshere (familje) bletësh në rang vendi. Është një pasuri e konsiderueshme kombëtare, por në vitet e fundit ka pasur dëmtime të konsiderueshme.
Vetëm në dimrin 2016-2017, sipas të dhënave të Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë janë dëmtuar 144.000 koshere, ose rreth 40% e numrit total, me një vlerë prej mbi 20 milionë eurosh (e llogaritur 130 euro/koshere ose 18,000 lekë/koshere).
Megjithëse kjo shifër është e barabartë me vlerën e mbi 10.000 krerë lopë, askush nuk u shqetësua për këto dëmtime, jo më të bëhej fjalë për dëmshpërblime siç ndodhi në rastin e dëmtimit të rreth 3000 krerëve lopë nga Dermatoza Nodulare në vitin 2015. Edhe këtë vit ka shumë dëmtime në bletë, që raportohen deri tani mbi 20% në shkallë vendi, por që deri në të dalë të dimrit, mendohet të kapet shifra e vitit të kaluar.
Dëmtime pothuajse në nivele të tilla si Shqipëria ka edhe në Europë dhe SHBA (35-42%). Por, në këto vende ka një sensibilizim dhe mobilizim të institucioneve shtetërore, shkencore dhe shoqërisë civile, për gjetjen e shkaqeve të këtyre dëmtimeve dhe marrjen e masave të nevojshme. Kjo, jo vetëm për ruajtjen e prodhimtarisë së produkteve që merren nga bletaria por, në radhë të parë, për rolin e pazëvendësueshëm që kanë bletët në pllenimin e kulturave bujqësore dhe bimësisë në përgjithësi, ku sipas studimeve shkencore mbi 1/3 e bimësisë së botës pllenohet nga bletët. Ky fakt e ka shtyrë shkencëtarin e madh Einstein të shprehet se “po u zhdukën bletët, shumë shpejt do të zhduket edhe njerëzimi”.
“Kemi besim se Ministria e Bujqësisë, në ndryshim nga vitet e mëparshme, do ta vlerësojë këtë gjendje shumë të rëndë të bletarisë dhe do të gjejë mekanizmat e nevojshëm për përmirësimin e situatës”, thotë Shoqata.
Në vazhdim Shoqata jep disa mendime se si mund të përmirësohet ky sektor.
-Në Shqipëri mungon ligji “Për bletarinë”. Aktet ligjore që rregullojnë veprimtarinë e sektorit të bletarisë janë të përmendura në nene të veçanta të ligjeve të tjera si ai për veterinarinë, për zootekninë, ligjin e ushqimit etj., dhe nuk ka një ligj të veçantë vetëm për bletarinë, siç e kanë edhe vendet e tjera, përfshirë edhe Kosovën. Në vazhdim do të japim disa mendime tonat se si mund të përmirësohet ky sektor.
-Rendimenti është shumë i ulët, afërsisht 8-10 kg për koshere (Greqia mbi 30 kg/koshere, Turqia mbi 50 kg/koshere). Kjo bën që kostot të jenë shumë të larta dhe nuk i përgjigjet çmimi i duhur për këtë sasi prodhimi.
-Duhen politika të mirëfillta, ku të nxitet prodhimi vendas, jo vetëm në subvencionime në bazë të numrit të koshereve, por duhet patjetër për njësi prodhimi, pra për kg mjaltë të dorëzuar apo të shitur me dokumente të rregullta. Kjo do të stimulojë bletaret të rrisin prodhimin dhe do të jemi më konkurrues ne eksporte.
-Duhet të ketë ndihmë gjithashtu për bletarët në bazë materiale, zgjoje bletësh, centrifuga, ushqim bletësh, ilaçe kundër sëmundjeve etj. Sepse, po të shohësh nga afër sesi punohet me bletët, çfarë mjetesh kanë, jemi shumë larg kushteve minimale higjieno-sanitare, pa folur fare për standardet europiane të prodhimit, ambalazhimit, etiketimit dhe shitjes së mjaltit. Subvencionet që jepen për koshere shumë pak shkojnë aty ku duhet, pasi shumica e fermave bujqësore në Shqipëri janë ferma të përziera dhe kur fermeri merr paratë për numrin e koshereve me bletë, i shpenzon ato para aty ku ka më shumë nevojë për momentin, pavarësisht se i ka marrë për bletët. Këtu nuk po përmendim edhe disa bletarë apo fermerë, të cilët kur marrin para cash i shpenzojnë kot, pa shkuar ende në shtëpi. Shoqëria dhe shteti duhet të mendojnë edhe për këtë kategori, duke mos iu dhënë mundësinë të kenë shumë para cash, por të stimulohen me bazë materiale. Stimulime të tilla kanë bërë që ata t’i shtojnë në pranverë kosheret dhe i humbasin në dimër. Ku shkuan subvencionet??
-Konsumi është relativisht i ulët në rang vendi. Shqipëria konsumon rreth 0.8-0.9 kg mjaltë për frymë në vit. Vetëm vendet e rajonit tonë konsumojnë 2-3 kg mjaltë për frymë në vit, pa folur për vendet e zhvilluara që konsumojnë edhe më shumë. Kjo do të thotë se ka vend për të tre-katërfishuar prodhimin e mjaltit vetëm për nevojat e vendit.
-Edhe eksporti është në vlera minimale. Afërsisht 40 tonë mjaltë eksporton vetëm kompania “Morava” në një vit. Duhet llogaritur edhe importi, që është shumë konkurrues në çmim karshi produktit të vendit.
-Skemat kombëtare duhet të kalojnë për rritjen e prodhimit dhe jo për qendra grumbullimi që nesër do të ngelen fantazma dhe investim i shkuar dëm, ose ndoshta mund të kthehen në paketuese të mjaltit të huaj pa origjinë, ose mjaltë kinez. E vetmja kompani e grumbullimit dhe paketimit në vendin tonë, Morava, punon me 10% të kapacitetit tani. Nga 1 ton mundësi paketimi në ditë, punojnë në nivel minimal sepse nuk ka prodhim.
-Eksporti duhet të jetë i vazhdueshëm. Në qoftë se mbështeten bletarët tani dhe me subvencion për njësi prodhimi duhen 3-4 vjet që të shohim frytet e kësaj pune.
-Mendojmë se duhet parë mundësia e njëlloj subvencionimi për sasitë e mjaltit që eksportohen. Kjo do të ulë deri diku kostot dhe rrit mundësinë e konkurrencës.
-Kërkesa ka pasur vazhdimisht për mjaltë shqiptar nëpër panaire ndërkombëtare, ku kemi marrë pjesë, por këtu nuk mund të gjesh mjaltë. Është shumë e vështirë të mbledhësh mjaltë cilësor, edhe pse mjetet e kompanisë së vetme grumbulluese, “Morava” shkojnë në gjithë vendin, por nuk mund të grumbulloj sasi për t’u përgjigjur kërkesave të eksportit.
-Pengesë e madhe është bërë vendosja e kufirit prej 15000 lekësh në ditë për blerje mjalti nga bletarët me para në dorë. Rritja e pragut të blerjes së mjaltit tek bletarët, nga 15000 lekë në ditë të kalojë në 150.000 lekë në ditë. Kjo na pengon të merret mjaltë tek bletarët në zona të thella, sepse duhen kontrata, NIPT-e, fermeri etj., por edhe fermerët duan pagesën në vend, nuk pranojnë me bankë, sepse e kanë të pamundur të ndjekin pagesat me bankë. Kështu, i bie që duhet të shkosh 10 herë tek një fermer në zona të thella, për të blerë 180 kg mjaltë. Automatikisht rrit kostot.
-Duhet të ketë një bashkërendim të punës ndërmjet ambasadave tona jashtë shtetit dhe Ministrisë së Bujqësisë, për tregjet e synuara sipas produkteve. Nga kërkimet e tregut ka pasur kërkesa nga Kina, por nuk ka prodhim. Ambasadat mund të mbështesin dhe ndihmojnë biznesin e eksportit të mjaltit për marrëveshje dypalëshe, përpara se të vijnë specialistët e shtetit përkatës në vendin tonë që certifikojnë kompaninë që do të eksportojë.
-Problem është lëvizja e bletëve pa kriter në kohën e lulëzimit të kullotave, ku bletarë të zonave të tjera shtegtojnë bletët pa asnjë kontroll, pa një certifikatë veterinare duke përhapur sëmundje e parazite tek zonat që nuk kanë pasur problem më parë.
-Problem janë sëmundjet e Varroatozës dhe Nosematozës. Shërbimi veterinar duhet të organizojë, drejtojë dhe koordinojë punën për luftimin e këtyre sëmundjeve, pasi vetëm ky shërbim ka autoritetin për të bërë këtë punë. Dhe kjo të koordinohet që të zhvillohet njëherësh në gjithë zonat. Gjithashtu evidenton dhe llojet e preparateve që përdoren nga bletarët për këto sëmundje. Kjo ndikon në rritjen e prodhimit dhe cilësisë së mjaltit.
-Helmimet e bletëve nga pesticidet dhe herbicidet që përdoren në bujqësi janë një tjetër problematikë për bletarinë. Përdorimi i këtyre lëndëve helmuese për bletët nën një kujdes të rreptë të autoriteteve përkatëse, duke njoftuar bletarët dhe duke bashkëpunuar me shoqatat e bletërritësve do të ishte një zgjidhje e pranueshme dhe shumë efektive.
-Duhet të ketë dhe ndihmë nga Qeveria për të prezantuar kompanitë dhe produktin në panaire të ndryshme në botë ose të targetohen tregje të mundshme alternative përveç Europës, që momentalisht nuk lejohet.