Pasi u duk sikur ndaloi në fund të javës së kaluar, euro është zhvlerësuar sot sërish në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 132.5 lekë, me një rënie prej 0.16 lekësh në raport me të premten e javës së kaluar. Në të kundërt, dollari është forcuar me 0.64 lekë, duke u këmbyer me 106.7 lekë.
Ky është niveli më i ulët i euros që nga muaji gusht, kur monedha vendase sezonalisht forcohet për shkak të hyrjes së valutës nga emigrantët.
Por, janari dhe shkurti janë periudha ku tradicionalisht, euro forcohet, teksa aktiviteti ekonomik fillon e gjallërohet duke rritur dhe kërkesën për importe. Në fakt, të dhënat e sotme të INSTAT treguan se deficiti tregtar (diferenca mes importeve dhe eksporteve) u rrit me 31% në krahasim me janarin e vitit 2017.
Edhe ne bursat ndërkombëtare euro po luhatet në nivelet më të larta të tre viteve. Një euro u këmbye sot me 1.24 dollarë, me një rritje ditore prej 0.16 dhe duke qenë 17% më i lartë sesa një vit më parë, sipas të dhënave që publikohen nga Financial Times (shiko në fund grafikun euro-dollar në bursa për tre vitet e fundit).
Teksa ekonomia vendase nuk është shumë e fortë, ajo po rritet mesatarisht me 3.5%, vendi është i varur nga importet për shumë produkte (raporti i mbulimit të importeve nga eksportet ishte vetëm 52% në janar, sipas INSTAT) dhe turizmi nuk është në kulmin e tij, ekspertët ngrenë supet kur i pyet për arsyet e forcimit të monedhës vendase.
Arsyeja e vetme që ata japin është oferta e lartë e valutës që po qarkullon në treg, ajo që po e mban lekun të fortë. Teksa burimet e ligjshme ekonomike nuk justifikojnë këtë ofertë të lartë, gishti drejtohet te burimet e paligjshme të hyrjes apo të hedhjes në treg të valutës. Një tjetër arsye, që ndikoi javën e kaluar ishin dhe deklaratat e deuroizimit nga Banka e Shqipërisë (e cila mori disa masa për të ulur përdorimin e euros në ekonomi), por efektet psikologjike të saj konsiderohen afatshkurtër.
Një euro e dobët është favorizuese për importet, që vijnë më të lira, ndërsa dëmton eksportuesit, që marrin më pak të ardhura në lekë për të njëjtën sasi në euro. Këstet e kredisë bëhen gjithashtu më të lira. Më të lira janë dhe blerjet onlne, si në euro ashtu dhe në dollarë, po ashtu dhe për udhëtimet jashtë vendit mund të marrësh më shumë valutë për të njëjtën sasi lekësh. Të dëmtuar janë ata që jetojnë në Shqipëri dhe i marrin pagat në valutë, si në euro, ashtu dhe në dollarë.