November 24, 2024

Deklaratat në Prishtinë, Serbia: Edi Rama të shpallet non grata

Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama, në Parlamentin e Kosovës se Shqipëria e Kosova duhet të kenë një politikë të përbashkët të jashtme dhe mbase edhe një president mbarëkombëtar, ka nervozuar disa politikanë në Serbi.

Një ndër ta është edhe kryetari i Partisë Kombëtare Serbe, Nenad Popoviq.

Ai ka pohuar se deklarata e tillë e Ramës është e drejtuar kundër paqes në rajon dhe përfaqëson një akt armiqësie ndaj Serbisë dhe popullit serb.

Prandaj, sipas Popovic-it, Rama duhet të shpallet “persona non grata”, apo person i padëshirueshëm në Serbi.

“Deklarata e Kryeministrit shqiptar Edi Rama se Shqipëria dhe shteti i rremë i Kosovës do të kenë një politikë të jashtme të përbashkët dhe president, është e drejtuar kundër paqes në rajon dhe përfaqëson një akt armiqësor ndaj Serbisë”, thotë Popoviq, njofton Klan Kosova.

Ai shton se kjo është një tendencë për krijimin e Shqipërisë së Madhe, prandaj Rama duhet të shpallet i padëshirueshëm, kurse ambasadorit shqiptar në shtetin serb duhet t’i dërgohet një notë proteste.

Facebook Comments

MineralHygienics.com