April 25, 2024

Bizneset e Kosovës, ja si na pengon qeveria shqiptare për të bërë tregti

Bizneset e Kosovës ankohen se qeveria e Shqipërisë përdor praktika diskriminuese ndaj tyre, të cilat pengojnë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Sipas një sondazhi të kryer nga Oda Ekonomike e Kosovës,  bizneset kosovare listojnë se në Shqipëri përballen masivisht me çmime referencë por edhe vonesa burokratike në doganën.

“Në disa pika të zhdoganimit si Elbasan, Vlorë, Fier etj nuk i pranojnë çmimet e faturave, por zbatojnë çmimet e referencës. Kjo edhe pse me të njëjtat çmime, që refuzohen nga doganat shqiptare eksportojmë pa problem në Maqedoni, Bullgari, Mal të Zi etj,” thuhet në anketënn e Odës Ekonomike të Kosovës.

Veç çmimeve referencë një tjetër pengesë sipas bizneseve kosovare është procedura e dyfishtë e rregullimit të dokumentacionit.

“Në pikën kufitare rregullohen dokumentet tranzit, të cilat zgjasin 2-3 orë. Po të njëjtat procedura përsëriten në pikën e zhdoganimit që merr edhe 2-3 orë të tjera duke e bërë të pamundur eksportin brenda ditës,” vërejnë sipërmarrësit kosovar.

Sipas tyre, Shqipëria takson pa të drejtë edhe produktet tranzit të Kosovës, pra mallra për treg dhe konsum kosovar, që vijnë nga një shtet tjetër përmes Shqipërisë.

“Kërkesa e kompanive që përballen me këtë problem është të kërkohet prej autoriteteve shqiptare që të shohin mundësinë e heqjes së taksës 20 euro mbi certifikatat sanitare për produktet tranzit,” thotë Oda Ekonomike.

Image

Show politik

Në katër vitet e fundit, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë bërë disa mbledhje të përbashkëta, ku kanë nënshkruar dhjetëra marrëveshje ekonomike. Por më shumë se sa lehtësim tregtie, mbledhjet kanë shërbyer për populizëm qeveritar.

Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë mbeten në nivele modeste, të penguara edhe nga procedurat burokratike dhe barrierat ligjore. Kjo bën që tregtia mes Shqipërisë dhe Kosovës të jetë tre herë më e vogël se sa ajo mes Kosovës dhe Serbinë.

Pak kohë më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaron se qeveria shqiptare është duke penguar krijimin e pikës së përbashkët doganore me Kosovën në Portin e Durrësit. Në një raport të posaçëm auditimi KLSH zbuloi se qeveria shqiptare është tërhequr nga nisma duke e lënë atë thjesht një premtim në letër.

Facebook Comments

MineralHygienics.com