November 25, 2024

Debati gjerman, debati i gjithë Bashkimit Europian

I mirëpritur në Paris dhe Bruksel, si një premtim për ringjalljen e unitetit evropian, marrëveshja e qeverisjes e dakordësuar më 8 shkurt mes Angela Merkelit dhe Partisë Social Demokrate (SPD), ka krijuar edhe konfuzion ezemërim në Berlin.

Zemërimi përqëndrohet kryesisht tek konservatorët e Bashkimit Kristian Demokratik (CDU). “Kancelare me çdo kusht”, e vë titullin Bild në faqen e parë, një e përditshme e lidhur me të djathtën dhe me një tirazh prej katër milionë kopjesh. “Merkel i ofron qeverinë SPD-së”, shton gazeta. 

Është mendimi i shumë prej emrave të mëdhenj të CDU-së, të cilët nuk vënë bast për jetëgjatësinë e Kancelares, dhe publikisht deklarojnë se rezultati i negociatave me socialdemokratët është i pakënaqshëm, sepse krijon riskun që “politika europiane e SPD-së t’i imponohet Ministrisë së Financave”, një dikaster që do u shkojë Social Demokratëve, mbështetës të një politike investimesh nga ana e BE-së, dhe sidomos në Eurozonë. 

Baza e SPD nuk është e bindur

Zemërimi nuk shkakton habi, sepse gjatë negociatave për marrëveshjen e qeverisjes, shumica e lëshimeve erdhën nga Merkeli dhe për shkak se e majta arriti të afirmojë vullnetin e saj, për të bërë që teprica buxhetore të nxisë një politikë të rimëkëmbjes, si në Gjermani, ashtu edhe në pjesën tjetër të Bashkimit Evropian.

Nëse marrëveshja zbatohet, Gjermania do të ndryshojë drejtim, duke sjellë ndryshime edhe në BE. Megjithatë, nuk është e sigurt se baza e SPD-së, e përbërë nga 440 mijë militantë, do të japë dritë jeshile krijimit të një koalicioni të madh. 

Baza nuk është e bindur, sepse SPD ka humbur identitetin dhe shumë zgjedhës, për shkak të dy koalicioneve të fundit të mëdha me të djathtën, dhe kalimi në opozitë mbetet një tundim i fortë për militantët, që duan një rikthim në origjinë.

Situata nuk është ende e qartë. Ringritja e BE-së mbahet pezull nga kriza e socialdemokratëve, e thellë në Gjermani dhe nga pak kudo, si dhe ndarja e CDU mes dy rrymave, ajo liberale dhe ajo europeiste e sociale.

Përparimi i të djathtës duhet të shtyjë të majtën që të votojë pro dhe të ratifikojë atë që është praktikisht një fitore. Por duhet maturi, sepse e majta dhe e djathta janë të ndara mes pozicioneve të identitetit, që i kanë rrënjët në historinë dhe tundimin “francez”, të krijimit të një qendre të madhe që përmbledh të gjithë, dhe e ankoruar në ambicien evropiane. Debati gjerman është debati i gjithë Bashkimit Europian. 

Facebook Comments

MineralHygienics.com