Kreu i PZHK, Dashamir Shehi i është përgjigjur ironive të kryeministrit Edi Rama lidhur me investimet turke në Shqipëri. Shehi u shpreh kundër koncesionarit turk në aeroportin e Vlorës, ndërsa Rama ironizoi javën e kaluar deklaratat e kreut të LZHK, duke deklaruar nga foltorja e Kuvendit se ai zgjohet në mëngjes dhe ha pilaf e pi raki. Por deputeti i PD u përgjigji një javë më pas duke i kujtuar Ramës se për batuta nuk ia merr dot, por në diskutim janë interesat kombëtare dhe jo “plënci e rakia”.
“Pse jam kundër investimeve turke? Është e tepruar dhe çdo ndërhyrje tjetër është në dëm të Shqipërisë. E di pse e them këtë? I kemi te bankat, porti, tani do i kemi dhe te aeroporti, i kemi te energjia, i kemi te arsimi, që i kishim deri dje, i kemi te telekomunikacioni për të cilën folëm dje.
Këtu edhe dy kompani që ishin perëndimore, gjermanët e aeroportit dhe kanadezët, i larguam dhe i zëvendësuam me kinezë. Kthimi i kokës mbrapa nuk i shërben këtij vendi, është një tezë shumë e madhe, do përplaseni këtu në të ardhmen. Kjo nuk i shërben Shqipërisë, Turqia është shtet autoritarist. Por kjo është punë për to. Turqia që lidhet me Rusinë dhe Sirinë, është punë për ne, se duam të shohim drejt perëndimit.
Nëse është këtu për batuta plënc e raki, unë e lë mbrapa ata, 200 vjet, se është nxënësi im. Por këtu jemi për punët e Shqipërisë. I qëndroj kësaj linje, besoj se i shërbej vendit tim, ju bëni çtë doni për ato punët e stomakut“, u shpreh Shehi.