Raportuesi për Shqipërinë në KE, Thorsten Frei ka folur pa doreza gjatë një konference për mediat, lidhur me debatin e madh për reformë në drejtësi në vendin tonë, dhe arrestimin e atyre që janë quajtur “peshqit e mëdhenj”.
Duke folur për pesë kushtet për çeljen e negociatave të vendit tonë nga BE-ja, ai ka deklaruar se reforma në drejtësi duhet të avancojë, po ashtu edhe ajo zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR.
“Shqipëria duhet të vijojë në rrugën e integrimit që është në interes të Shqipërisë dhe vetë BE-së. Ndër kushtet për hapjen e negociatave është edhe dekriminalizimi e reforma zgjedhore. Pika më e rëndësishme është reforma në drejtësi e vettingu. Komisioni i apelit nuk ka mjediset e duhura të zyrës për të zhvilluar punën. Janë hartuar akte të rëndësishme por seancat e dëgjimeve që shërbejnë për të marrë vendime për vettingun do të fillojnë në mars. Është vendimtare se si mund të matet progresi konkret. Gjatë bisedave të mia, më janë paraqitur përshkrime të ndryshme të situatës, në varësi nëse kam zhvilluar biseda me qeverinë apo opozitën. E rëndësishme të bisedohet me të gjitha palët dhe të shihen të gjitha faktet. Edhe në Gjermani merremi në mënyrë intensive me raste simptomatike. Situata është e tillë, sidomos në fushën e vettingut, në luftën krimit të organizuar janë shënuar progrese por edhe në rastet e mëdha për peshqit e mëdhenj mbetet për t’u parë nëse ka vërtetë goditje reale ndaj krimit të organizuar në përmasa të konsiderueshme. Kjo nuk është realizuar në mënyrë të mjaftueshme. Kam ndjekur rastin e ish-ministrit Tahiri me shumë vëmendje, se si është trajtuar ky rast nga pikëpamja politike. Është problem i madh që në parlament nuk është hequr imuniteti pa debate. Para ligjit jemi të gjithë të barabartë. Është vendim nga organet gjyqësore që duhet të merret nga gjyqtarët. Ky rast është përgjigje për pyetjet se cilat janë arritjet në këtë rast. A është vërtetë Shqipëria në gjendje që të mos ndalet para rasteve të tilla”, deklaroi deputeti gjerman.