Zjarrfikësit e Greqisë thonë se një mashkull dhe një femër nga Maqedonia, janë gjetur të vdekur nga ngrirja në maje të malit Kaimaktsalan.
Mashkulli, 35 vjeçar, dhe femra 28 vjeçare, ishin të zhdukur prej të shtunës në mëngjes. Ata ishin pjesë e një grupi prej 40 maqedonasve, që qëndronin në terrenet e skijimit në Voras të Greqisë, raportoi mbrëmë agjencia AP nga Selaniku.
Grupi kishte arritur në lartësinë prej 2,524 metrave të malit, afër kufirit ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë, pardje herët në mëngjes dhe ishte kthyer para mesditës.
Zjarrfikësit ishin alarmuar për çiftin e zhdukur të shtunën pasdite, por ishin tërhequr nga kërkimi në mbrëmje për shkak të mjegullës dhe borës.
Kërkimi kishte vazhduar dje në mëngjes.